Rama: Mbështetje për nismën ligjore anti-KÇK

Ashtu si dhe integrimin, edhe për përballimin e pasojave të tërmetit, Italia është nga vendet që ka dhënë mbështetjen më të madhe. Dhe këtë e ka rikonfirmuar dhe me vizitën e tij të parë në Shqipëri, Ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio, i cili ndalesën e parë e bëri në disa nga zonat më të prekura nga tërmeti, në Vorë.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, Di Maio deklaroi angazhimin konkrete për përballimin e situatës, por dhe kostove të tërmetit. Ai tha se Italia do të asistojë me ekspertizë në terren për evidentimin e dëmeve, por dhe ndihmë financiare, që do të bëhet e ditur në Konferencën e Donatorëve. Di Maio mendon se kjo tryezë duhet të zhvillohet në Tiranë dhe për të duhet të ketë përfshirje maksimale të gjithë vendeve të BE.

“BE mund të bëjë më shumë dhe do të bëjë më shumë. Ato burime që u vunë në dispozicion përbëjnë hapin e parë të ndihmave, në ditët në vijim do të kemi rastin në takime të tjera, ku kryeministri Conte do të bëjë të pranishme ndihmesën që duhet t’i jepet Shqipërisë dhe kjo duhet të bindë Komisionin Evropian që duhet t’i qëndrojë afër Shqipërisë. Ne do të punojmë fuqishëm në Konferencën e Donatorëve, dhe do të vëmë në dispozicion teknikët tanë që të bëjnë vlerësimin paraprak të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti në mënyrë që konferenca e donatorëve të ketë një kuadër të qartë situatës. Urojmë që Konferenca e Donatorëve të mund të bëhet në Tiranë, por ende më e rëndësishme është niveli i afërsisë që do të tregojnë të gjitha shtetet anëtare ndaj Shqipërisë. Është një rast dramatik, dhe shpreh ngushëllimet e mia. Kjo tragjedi përbën një rast që institucionet evropiane të shprehin afërsinë ndaj Shqipërisë, një vend mik për Italinë dhe BE-në”.

Mbështetja e Italisë është vlerësuar maksimalisht nga Kryeministrit Rama. Por situata post tërmet dhe përballimi i saj nuk ishin tema e vetme e diskutimit mes Di Maios dhe Ramës. Siç pohoi vetë kreu i qeverisë shqiptare është diskutuar dhe për nismën e tij për ligjin e posaçëm anti-KÇK, për të cilin Di Maio ka afruar asistencë për zbatimin në praktikë.

Po ashtu, Ministri i Jashtëm italian ka rikonfirmuar edhe njëherë angazhimin e vendit të tij për të vijuar lobimin për çeljen e negociatave me BE. Por ai kërkon nga politika në Tiranë rivendosjen e dialogut dhe krijimin e një klime politike pozitive, në mënyrë që të mos pengohet vendimmarrja e Brukselit.

Italia insiston mbi nevojë e një vendimi pozitiv për të dyja vendet për të përcaktuar edhe një datë për thirrjen e konferencës së parë ndërqeveritare dhe gjithashtu për një mandat për komisionin për të përgatitur kuadrin e negociatave. Të gjithë aktorët politikë të angazhohen edhe më tej në rivendosjen e një klime politike të tillë në mënyrë që të mos komprometojë rrugëtimin e integrimit evropian dhe të bëjë të mundur të shfrytëzohen potencialet në rritje të vendit, duke favorizuar një ulje të tensioneve dhe hapjen e kanaleve të përballjeve dhe dialogut”.

Shefi i diplomacisë italiane është pritur në një takim dhe nga Presidenti Meta, i cili po ashtu ka vlerësuar mbështetjen konkrete të Italisë pas 26 Nëntorit, por dhe proceset integruese.

Tv Klan