“Shqiptarët të mos e marrin si personale vështirësinë në anëtarësim”

Sipas Luigi Di Maio duhet këmbëngulur që Konferenca e Parë Ndërqeveritare të mbahet sa më shpejt të jetë e mundur. Gjatë një interviste në “Opinion”, ministri i Jashtëm italian tha se procesi i integrimit po ngadalësohet edhe prej diskutimit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Për Di Maion, BE-ja do të ishte më e fortë nëse do të kishte brenda Shqipërinë. Megjithatë, ministri italian tha se populli shqiptar nuk duhet ta përjetojë si diçka personale vështirësinë për anëtarësimin në BE. Kjo për shkak se është një çështje që kërkon dakordësi nga të gjitha shtetet anëtare.

Një pyetje përsa i përket zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe rolit të Shqipërisë. Mendoni se Shqipëria është gati për mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare?

Unë mendoj se duhet këmbëngulur në këtë drejtim, në mënyrë që kjo Konferencë të zhvillohet sa më shpejt të jetë e mundur. Ne jemi duke punuar së bashku, Italia dhe Shqipëria, në mbështetje të këtij procesi, edhe përsa i përket ligjit kundër korrupsionit.

Po brenda Bashkimit Evropian? Ka një konsensus për këtë?

Ju e dini që në gjirin e Bashkimit Evropian kemi diskutimin midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut i cila po e ngadalëson në një farë këtë proces, por unë jam i mendimit që Bashkimi Evropian është një vend ku gjendet përherë një dakordësi dhe se Shtetet anëtare e dinë fort mirë që nuk mund të bëjnë dot asgjë pa Bashkimin Evropian. Me plot bindje mund të them  se me Shqipërinë në Bashkimin Evropian do të kemi një Evropë më të fortë e dinamike pasi  ka një brez që prej vitesh e sheh Evropën si të ardhmen e tij dhe në një kohë kur disa prej Vendeve vendosin të largohen nga Bashkimi Evropian, kemi të tjera Vende që aspirojnë të jenë pjesë e saj ndaj dhe duhet të nxjerrim mësime e të përfitojmë prej kësaj.

Anëtarësimi i 4 vendeve të Ballkanit Perëndimor, kaq e vështirë është për t’i pranuar në gjirin e Evropës, të gjitha bashkë arrijnë një popullsi prej jo më shumë se 20 milionë banorë.

Unë i them popullit shqiptar se nuk duhet ta përjetojë si diçka personale për një arsye, pasi  çdo vendim në Bashkimin Evropian përfshin 27 vende dhe kjo të çon gjithmonë drejt një problemi, drejt vendimeve kolegjiale për të cilën nevojitet edhe një proces i madh vendimmarrës. Ndaj ajo që ndonjëherë duket se është e ngadaltë, kontradiktore në të vërtetë nuk është veçse një mekanizëm vendimmarrës i një Bashkimi Evropian të përbërë nga shumë shtete të cilët kanë dhe interesa të ndryshëm, por që gjithsesi gjejnë një dakordësi në dobi të Bashkimit./tvklan.al