Zv/Kryeministri italian Luigi di Maio vlerëson vendimin e Shqipërisë për të pranuar 20 prej 150 emigrantëve afrikanë të bllokuar prej ditësh në brigjet siçiliane, pasi autoritetet italiane i ndaluan ankorimin në kulmin e mosmarrëveshjeve me vendet e Bashkimit Europian për çështjen e emigrantëve ilegalë.

“Në fund, pas 4 ditësh ia dolëm që të paktën të fitonim solidaritetin dhe mbështetjen e vendeve si Shqipëria, që vazhdon rrugën për të hyrë në Bashkimin Europian por që për mua është më tepër Europë se shumë prej kombeve që e kanë Bashkimin Europian. I dha një shuplakë morale e politike të gjithë atyre oportunistëve europianë që thonë se duhen ndihmuar emigrantët, duhet ndihmuar Italia dhe në fund na e përplasën derën në fytyrë”.

Autoritetet italiane lejuan zbarkimin në portin e Katanias të 137 emigrantëve, kryesisht nga Eritrea, që ishin shpëtuar nga mbytja në ujërat e Mesdheut me ndihmën e anijes “Diçoti”. Leja e zbarkimit erdhi pas marrëveshjes që 20 emigrantë të strehohen në Shqipëri, 20 të tjerë në Irlandë dhe mbi 100 të mbahen nën kujtesin e Kishës Katolike dhe autoriteteve të Vatikanit.

Edhe Kryeministri italian Giuseppe Conte falenderoi Shqipërinë përmes një postimi të gjatë në Facebook.

Ndërsa Prokuroria e Agrixhentos ka ngritur akuza penale për ministrin e Brendshëm Mateo Salvini, për urdhërin e dhënë për ndalimin e ankorimit në portet italiane të anijeve me refugjatë. Sipas prokurorëve, Salvini ka privuar në mënyrë të jashtëligjshme nga liria personale, refugjatët e shpëtuar nga mbytja në ujërat e Mesdheut, nga anija “Diciotti”.

Italia ka ashpërsuar politikat për emigrantët, kryesisht nga vendet afrikane që hyjnë në territorin e saj përmes ujërave të Mesdheut. Qeveria e re e euroskeptikëve të Lëvizjes 5 yjet dhe Lega Nordit kërkon që barra e strehimit të qindra mijëra emigrantëve nga vendet e varfëra të botës, të mos i bjerë vetëm Italisë sipas rregullave të Shengenit, por ata të shpërndahen në mënyrë të drejtë mes vendeve europiane.

Tv Klan