Ministri italian biseda telefonike me Ramën dhe Bashën

Reforma Zgjedhore ishte në qendër të dy bisedave të ndryshme telefonike që ministri i Jashtëm Italian, Luigi Di Maio zhvilloi me Kryeministrin Edi Rama dhe kreun e opozitës Lulzim Basha.

Di Maio shprehu vlerësimin e tij për marrëveshjen e arritur deri tani nga forcat politike për Reformën Zgjedhore si dhe ftoi të dy liderët t’i përmbahen kësaj marrëveshjeje për miratimin e ligjit në parlament  përpara pushimeve verore.

“Çështjet që ende duhen diskutuar janë të rëndësishme’, pohoi ministri, por duke theksuar se “po kaq e rëndësishme është edhe ruajtja e një fryme konstruktive si dhe të qenit të hapur për dialog”.

Sipas tij, miratimi i një ligji të ri zgjedhor konfirmon faktin se të dy palët mund të punojnë së bashku për arritjen e objektivave të përbashkëta.

Di Maio kërkoi edhe përshpejtimin e implementimit të plotë të Reformës në Drejtësi.

Tv Klan