Angel Di Maria, ka njoftuar tërheqjen nga kombëtarja e Argjentinës. Kjo u bë e ditur nga vetë lojtari, pas finales në Kupën e Amerikës, ku kombëtarja e tij triumfoi ndaj Kolumbisë dhe mori trofeun e kampionit.

Në moshën 36 vjeçare, sulmuesi vendos ta mbyllë me ekipin kombëtar, pjesë e të cilit ishte prej 16 vitesh.

“Ishte e shkruar të ndodhte kështu. Kam ëndërruar për këtë, që të arrijmë në finale dhe të fitojmë. Unë nuk e di çfarë të them. Ka shumë ndjesi, i jam përjetësisht mirënjohës Federatës, më dha gjithçka. Argjentina është dashuria dhe vendi im. Ne donim t’u jepnim këtyre të rinjve më shumë trofe më parë, por nuk ishte e mundur dhe ne duhej të vazhdonim të luftonim, të këmbëngulnim dhe ia dolëm”, tha ai.

Me Albicelestët, Di Maria mori pjesë në katër Botërorë, në 2010, 2014, 2018 dhe 2022, ndërsa fitoi atë të fundit.

Karriera e sulmuesit me Argjentinën, u mbyll në mënyrën më të mirë të mundshme, me një trofe të fituar si ai i Kupës së Amerikës, të cilin Di Maria e fitoi për herë të dytë radhazi. /tvklan.al