Kjo grupmoshë preket kryesisht nga diabeti tip 1. Fishat falas deri në 25 vjeç

Edhe pse sëmundja e diabetit është më evidente tek të rriturit, nuk mungojnë as moshat e vogla që preken nga kjo problematikë. Sipas mjekes Xhentiljana Nazaj, kryesisht tek fëmijët ndeshet më shumë diabeti i tipit 1.

“Numri i pacientëve diabetikë që shfaqen me simptoma dhe janë diagnostikuar janë në rritje. Vëmë re që edhe në moshat pediatrike kemi një rritje të paraqitjes së pacientëve që diagnostikohen me diabet. Nëse më parë mosha ishte 5-13 vjeç, tani shohim që edhe në moshë më të vogël kemi raste. Kryesisht janë me diabet tip 1 ose insulinovartës”.

Por cilët janë disa nga faktorët që shkaktojnë diabet tek moshat pediatrike?

“Faktori kryesor është gjenetik, transmetimi nga nëna te fëmija gjatë shtatzënisë. E dyta është kequshqyerja, ushqimi me shumë yndyrna e proteina. Fëmijët obezë janë më të predispozuar se të tjerët”.

Specialistët rendisin disa nga shenjat që tregojnë se fëmija mund të vuajë nga diabeti, duke veçuar mbipeshën apo kur ha shpesh dhe në mënyrë të pakontrolluar.

“Prindërit mund të vënë re kur fëmija urinon në mënyrë të pavullnetshme natën sidomos kur e ka ndërprerë, kur konsumon shumë lëngje, kur kërkon të ushqehet vazhdimisht dhe nuk ndien ngopje, duhet t’i drejtohen pediatrit”.

Prej 2019, fëmijët dhe të rinjtë deri në 25 vjeç që vuajnë nga diabeti, mund të marrin 2 herë në vit sasinë e plotë të fishave falas për matjen e glicemisë.  

Klan News