“KE t’i rikthehet negociatave me Shqipërinë në Samitin e Zagrebit”

Një tjetër thirrje për dialog vjen nga Shtetet e Bashkuara në adresë të klasës politike shqiptare. Pas mesazhit të fortë që dha për opozitën jashtëparlamentare se bojkoti nuk solli fuqi më të mëdha politike dhe as zgjedhje të parakohshme, Zv/ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Matthew Palmer kërkon uljen e palëve në dialog. Proces që, i dërguari i posaçëm i Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, thotë se duhet të kalojë nga Reforma Zgjedhore, e bazuar mbi rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, çka do të çojë serish vendin në normalitet.

“Është e rëndësishme që themelet demokratike të Shqipërisë janë të forta, që zgjedhjet janë të lira dhe që populli shqiptar ka lirinë të zgjedhë në mënyrë demokratike. Prandaj do na pëlqente të shihnim një dialog që sjell si rezultat një marrëveshje mbi Reformën Zgjedhore që zbaton rekomandimet e OSBE/OHDIR-it dhe një drejtim që çon sërish drejt normalitetit për demokracinë shqiptare.”

Nga Forumi Ekonomik i Davosit, zoti Palmer ritheksoi angazhimin e Shteteve te Bashkuara të Amerikës lidhur me perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor dhe u shpreh optimist se Brukseli do t’i kthehet çështjes së negociatave në Samitin e Zagrebit.

“SHBA-të vazhdojnë të jenë të angazhuar në perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor që ka qenë themeli për angazhimin amerikan në rajon për më shumë se 20 vite. Kjo nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë. Kjo është edhe arsyeja pse pamundësia e Këshillit Europian për të gjetur konsensus dhe të fillojë bisedimet për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ishte kaq zhgënjyese. Kjo nuk është fjala e fundit. Shpresojmë që Këshilli i Europës t’i rikthehet çështjes në mbledhjen e liderëve në maj, në Zagreb, të arrijë konsensusin e duhur dhe të nisë atë proces aq të rëndësishëm duke dërguar sinjalin e rëndësishëm në rajon”.

Zoti Palmer vlerësoi edhe nismën e Minishengenit Ballkanik.

“Arkitektura e kësaj nisme ka një skaj të hapur, ka vend për Malin e Zi, Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovën. Nisma është premtuese, ka mbështetjen tonë dhe angazhimin tonë për të bashkëpunuar me liderët e Ballkanit Perëndimor për ta çuar përpara”.

Zyrtari i lartë amerikan tha se kjo nismë është mjaft shpresëdhënëse për promovimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit dhe tregues që liderët në rajon po marrin përgjegjësi për fatin e tyre, duke e marrë në dorë të ardhmen e vet.

Tv Klan