Dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit, që po zhvillohet në raunde të ndara me lehtësimin e Bashkimit Evropian, pritet të vazhdojë, ndonëse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht data e takimit.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës nuk e dinë se kur do të vazhdojë dialogu teknik në Bruksel. Takimi i fundit i këtij niveli të bisedimeve është mbajtur në muajin mars të këtij viti.Avni Arifi, koordinator i Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë, tha për Radion Evropa e Lirë se edhe pse pala nga Kosova ka kërkuar nga Brukseli që të caktohet takimi i radhës, për këtë çështje ende nuk ka një përgjigje.

“Me gjithë kërkesën tonë zyrtare që të mbahen takime, kjo nuk ka ndodhur, pasi që nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga Brukseli. Ne kemi kërkuar që të adresohen marrëveshjet e pazbatuara deri më tani dhe nuk kemi asnjë indikacion se kur do të ketë takime me Republikën e Serbisë për temat e mbetura”

, tha Arifi.

Ftesa eventuale nga Brukseli për vazhdimin e dialogut, nënvizon Arifi, duhet të përmbajë temat për ngecjet në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura. Në të kundërtën, thotë ai, ftesa nuk do të ketë kuptim.

“Ne, në mënyrë aktive do të marrim pjesë në hartimin e asaj agjende. Nuk do të shkojmë në Bruksel sa për të shkuar apo nuk do të shkojmë atje për impelmentimin e projekteve në mënyrë selektive. Ne do të shkojmë kurdo që të ketë një ftesë të mirëfilltë, në të cilën janë të përfshira të gjitha marrëveshjet e nënshkruara, por të pa zbatuara”,

tha Arifi.

Agjenda e zbatimit të marrëveshjeve mes Kosova dhe Serbisë, nuk ka shkuar mirë dhe ka qenë në disfavor të Kosovës, thotë njohës të procesit të dialogut.

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri tha se parimet e dialogut në Bruksel dihen, që nënkuptojnë se pa pajtimin e të tria palëve, Brukselit, Prishtinës dhe Beogradit, nuk caktohet agjenda e takimit.

“Për ta arritur këtë qëllim duhet të ketë aftësi nga ata që e kanë përgjegjësinë në Qeverinë e Kosovës, se nuk janë këto procese të lehta dhe nuk vijnë ftesat në ajër. Për to, duhet angazhim serioz, paraqitje qëndrimesh serioze e të prera”

, tha Tahiri për Radion Evropa e Lirë./REL