Prioritet të 6 ose të 7 e ka vënë dialogun me Beogradin në qeverisjen e tij Albin Kurti në ditën që fitoi zgjedhjet. Ndërsa, ditëve te fundit thotë se dialogu mund të zbres si prioritet i katërt por jo më poshtë.

Analistët vlerësojnë se Kurti gjatë qeverisjes së tij nuk mund dhe nuk duhet të evitojë dialogun me Beogradin.

Nga Instituti Demokratik i Kosovës, për këtë çështje ka folur Jeta Krasniqi.

“Do të jetë një çështje që nuk do të mund ta evitojë qoftë qeveria Kurti apo siç ka ndodhur që edhe qeveritë paraprake nuk kanë mundur të evitojnë. Duhet bërë një balancë ndërmjet çështjeve të brendshme dhe të jashtme.”

Drejtori i institutit EPIK, Demush Shasha, ka thënë se qeveria e ardhshme duhet të merret me reformat e brendshme dhe në të njëjtën kohë dhe me dialogun me Serbinë.

“Pra qeveria Kurti duhet ti bëjë këto dy realitete të bashkëjetojnë dhe kjo është tërësisht e mundshme. Pra nuk e ndalon asgjë qeverinë Kurti 2 që të bëjë dy gjëra në të njëjtën kohë dhe neve që për dhjetë vjet që nga fillimi i dialogut jemi marrë ekskluzivisht me dialogun duke lënë interesat dhe prioritet e qytetarëve anash.”

Për analistin Muhamet Hamiti kjo qasje e Kurtit ka qenë e pritshme meqë ai ka dështuar sipas tij në politikën e jashtme qeverisjen e kaluar 55 ditëshe.

“Fliste për thika në Washington. Edhe po të kishte thika dhe harta, kujt do ti takonte më shumë sesa kryeministrit të Kosovës që të shkonte dhe të përballej me një situatë të tillë hipotetike të keqe,”është shprehur ai.

Dialogu Prishtinë-Beograd ka nisur qysh në vitin 2011 por ende nuk është arritur marrëveshja përfundimtare ndërmjet dy vendeve.

Me disa ndërprerje të kohëpaskohshme janë arritur disa marrëveshje në Bruksel por shumica prej tyre nuk kanë gjetur zbatim.

Marrëveshja e fundit ndërmjet këtyre dy shteteve është nënshkruar në Washington vitin e kaluar dhe kryesisht ka pasur karakter ekonomik. 

Klan News