Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do t’i imponojnë zgjidhje Beogradit dhe Prishtinës, kurse marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve duhet të jetë e pranueshme për udhëheqjen dhe qytetarët e Serbisë dhe të Kosovës.

Kështu ka deklaruar për televizionin e pavarur serb N1, Matthew Palmer, i dërguari i posaçëm i Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perendimor.

Përkundër dallimeve aktuale në qëndrimet lidhur me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Palmer thotë se Prishtina dhe Beogradi, po inkurajohen të përcaktojnë ato çështje të cilat duhet zgjidhur patjetër, për të shkuar përpara drejt kompromisit.

I pyetur për deklaratën e presidentit Aleksandar Vuçiç se Serbisë duhet t’i jepet njëfarë kompensimi sepse, sipas tij, nuk është kompromis nëse njëra palë merr gjithçka e tjera asgjë, zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, përgjigjet:

“E kuptoj këtë pikëpamje. Kompromisi nuk është punë e lehtë, por nuk dëshiroj që tani të paragjykojmë dialogun dhe negociatat. Palët do t’ia dalëin që nëpërmjet dialogut të vendosin mbi tavolinë ato çështje të cilat, sipas tyre, duhet zgjidhur gjatë këtij procesi dhe të punojnë nën kujdestarinë e Bashkimit Evropian dhe të Miroslav Lajçakut – sërish për të përcaktuar disa pika, dallime, kompromise të përbashkëta që këto dallime të zgjidhen dhe që këto marrëdhënie të marrin të mbarën“, ka deklaruar Matthew Palmer.

Ai tërhoqi vërejtjen se për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka ndonjë afat, por se çështja është urgjente: ‘Koha nuk është në anën tonë, por sa më gjatë që të presim ka për të qenë më vështirë dhe të gjitha sfidat kanë për të qenë më të ndërlikuara’, ka thënë zyrtari i lartë amerikan Matthew Palmer.

Klan Macedonia