Disa ditë pasi shefi i NATO-s, Mark Rutte porositi Prishtinën dhe Beogradin që të intensifikojnë dialogun ndërmjet tyre dhe të ndërmarrin hapa konkretë në Kosovë pritet të vijë i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen.

Ai po vjen për herë të parë në Kosovë si emisar i BE-së javën e ardhshme. Nga Bashkimi Evropian kanë konfirmuar se ai në Kosovë do të qëndrojë nga data 17 deri më 19 Mars.

“Përfaqësuesi special i BE-së Peter Sorensen planifikon të mbajë takimin e tij të parë të Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur menjëherë pasi të vizitojë rajonin”.

Më 17 Dhjetor, Kosova dhe Serbia ishin pajtuar për zbatim të marrëveshjes për të zhdukurit.

Më 15 Janar pritej formimi i Komisionit të Përbashkët që do të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, por një takimi kishte dështuar pasi pala serbe kishte refuzuar për shkak të mbylljes së strukturave ilegale serbe nga ministria e Punëve të Brendshme në Koordinim me Policinë e Kosovës.

Përfaqësuesja e re BE-së Kaja Kallas para disa javësh kishte paralajmëruar se gjatë muajit mars do të shikojnë se si të ecet përpara në procesin e dialogut duke përmendur po ashtu edhe faktin se ka kritika ndaj formatit të deritashëm të këtij procesi.

Tv Klan