I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, është takuar në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Këtë takim që ishte i pari mes tyre që nga marrja e pozitës së emisarit special nga Sorenseni, Vuçiçi e ka cilësuar të hapur dhe konkret.

Nëpërmjet një postimi në Instagram pas takimit, Vuçiç ka treguar për akuzat e tij ndaj Kosovës lidhur me trajtimin që sipas tij, i bëhet serbëve të Kosovës.

Vuçiç ka ripërsëritur se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë “është parakusht për fillimin e një normalizimi thelbësor të marrëdhënieve”.

“Kam shprehur shqetësimin e veçantë për pozitën e vështirë në të cilën ndodhen serbët në Kosovë për shkak të lëvizjeve të shumta tensionuese, njëanshme dhe të dhunshme të Prishtinës. Kam përsëritur se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pas 12 vitesh refuzimi të Prishtinës për ta përmbushur këtë detyrim, është parakusht për fillimin e normalizimit të vërtetë të marrëdhënieve”, tha Vuçiç.

Ai ka shtuar se pret nga BE-ja ta intensifikojë angazhimin e saj në dialog dhe të mbajë rol të paanshëm në këtë proces. Sorensen javën e kaluar ishte edhe në Kosovë.

Presidentja Osmani ia kishte paraqitur atij vërejtjet për Draftin e BE-së të statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Tv Klan