DASH: Të jetë prioritet sapo të formohet qeveria

Edhe pse Albin Kurti nuk i ka dhënë shumë rëndësi në programin politik të Vetëvendosjes, dialogu Kosovë-Serbi shihet si prioriteti kryesor nga Shtetet e Bashkuara. Këtë ua bëri të qartë fituesve të zgjedhjeve, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga BE me Kosovës dhe Serbisë, që synon një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që duhet të fokusohet tek njohja reciproke. Qeverinë e re e inkurajojmë që sapo të formohet, t’i japë prioritet bisedimeve”.

Thirrja nga Departamenti i Shtetit erdhi pas takimit që ambasadori amerikan në Prishtinë, Filip Kosnet zhvilloi të Martën në zyrat e Vetëvendosjes me Albin Kurtin që pritet të jetë në krye të qeverisë së re. Kosnet dhe Kurti nuk dhanë detaje për takimin.

Administrata e Joe Biden duket se e ka prioritet zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Që në ditët e para të presidencës, Bajden ia theksoi në letrën drejtuar homologut serb Aleksandër Vuçiç, se vetëm nëse njihet Kosova, Shtetet e Bashkuara do ta ndihmojnë Serbinë me përparimin në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Njohjen reciproke me Serbinë, Bajden e renditi si kusht kryesor për integrimin europian të Kosovës në letrën drejtuar presidentes në detyrë Vjosa Osmani për ditën e pavarësisë.

Tv Klan