Raund të ri bisedimesh Kosovë-Serbi, pas formimit të institucioneve të reja paszgjedhore

Lajçak ka folur para ambasadorëve në Komitetin për Politikë dhe Siguri, dhe ka deklaruar se nuk mund të flasë për afate kohore për të arritur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

Këtë, ai e ka arsyetuar me situatën politike në Kosovë dhe nevojën që pritet për formimi e institucioneve të reja. Lajçak, sipas Radios Europa e Lirë, ka thënë se duhet pritur po ashtu që edhe Prishtina e Beogradi t’u tregojnë qytetarëve të tyre se çfarë kompromisesh janë të nevojshëm për një marrëveshje eventuale.

Paraqitja e Lajçakut para përfaqësuesve të 27 vendeve anëtare duket krejt e ndryshme nga ajo, që ai deklaronte në fillim të mandatit, një vit më parë. Asokohe, Lajçak thoshte se nuk ka kohë për të humbur dhe se ai do të punonte për arritjen e një marrëveshjeje sa më shpejt që të ishte e  mundur.
Lajçak ka folur edhe për nevojën e bashkëpunimit mes BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ka konfirmuar se pret mbështetje për punën e tij nga administrata e re amerikane e Presidentit Joe Biden.

Në këtë diskutim thuhet se shumë përfaqësues të vendeve anëtare të bllokut evropian, e kanë konsideruar si lehtësim të madh faktin se tash do të ketë një mbështetje amerikane për dialog.

Madje disa burime thonë se Lajçak ka përmendur edhe termin “sabotim”, duke thënë se “tani nuk pret më sabotime nga Uashingtoni”, duke iu referuar aktiviteteve të ish-ambasadorit Richard Grenell, i cili ishte emëruar si i dërguar i posaçëm i ish-Presidentit, Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi.

Që nga muaji Shtator i vitit 2020, nuk ka pasur më takime të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut. Edhe pasi ai kishte rifilluar në Korrikun e kaluar, palët kanë pasur qëndrime të kundërta për shumë pika, sidomos rreth krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kosova ka refuzuar që të bisedohet për këtë temë, ndërkaq Serbia ka insistuar që asociacioni të formohet, pasi ka argumentuar se ky është obligim që del nga marrëveshja e Brukselit.

Bashkimi Evropian vazhdimisht i ka bërë thirrje Kosovës që ta zbatojë Marrëveshjen për Asociacionin, duke rikujtuar se Kosova “ka marrë obligim për këtë edhe përmes miratimit të sajë në Kuvendin e Kosovës”. Sa i përket bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në BE i gëzohen këtij bashkëpunimi, por nuk janë në gjendje të thonë nëse edhe BE-ja  ndan të njëjtin qëndrimin se qëllimi i dialogut duhet të jetë njohja e ndërsjelltë mes Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç ka kërkuar Presidenti amerikan, Joe Biden në një letër dërguar Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

I pyetur se çfarë marrëveshje pritet që të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë, BE-ja thotë se “pret marrëveshje për normalizim gjithëpërfshirës të raporteve, ligjërisht obliguese, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, standardet evropiane dhe të pranueshme për të gjitha vendet e Bashkimit Evropian”.

Nën ndërmjetësimin e BE-së, dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Pas një pauze 20-mujore, dialogu rinisi në Korrikun e vitit 2020. Takimi i fundit i udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë u zhvillua në Shtatorin e vitit të kaluar. Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës, Brukseli zyrtar ka paralajmëruar se nuk do të ketë takime në kuadër të dialogut. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 14 Shkurt.

Klan News