Dialogu në nivel ekspertësh mes Kosovës dhe Serbisë, do të vijojë dhe sot në Bruksel. Mediat në Kosovë bëjnë me dije se dy delegacionet do të takohen për çështjen e targave të automjeteve.

Takimi i parë i grupit të punës me ekspertë nga të dyja palët do të mbahet sot. Grupi punues synon të gjejë një zgjidhje të përhershme për këtë çështje dhe pritet të takohet rregullisht”, është shprehur zëdhënësi i BE për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Peter Stano.

Po ashtu Stano ka treguar se do të ketë dhe një takim mes kryenegociatorëve për të vijuar më tej me finalizimin e marrëveshjeve.

Nga ana tjetër zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka njoftuar se në këtë takim nuk pritet që të merret ndonjë vendim.

Kosova dhe Serbia po vijojnë takimet në nivel ekspertësh lidhur me shumë çështje që kanë mbetur pezull. Javët e fundit takimet janë shtuar, pas vendosjes së reciprocitetit për targat që vendosi Kosova./tvklan.al