Shefi i delegacionit të Partisë Socialdemokrate të Austrisë në Parlamentin Evropian, Andreas Schieder tha se bashkëpunimi më i mirë midis Serbisë dhe Kosovës do të ishte i dëshirueshëm, por gjithashtu se qeveria e re në Prishtinë tani të nis procesin e reformës.

Eurodeputeti austriak deklaron se është shumë e rëndësishme të punohet në “çështje të brendshme”, por gjithashtu se ky është një parakusht i mirë për vazhdimin e bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Ne kemi nevojë për politikanë që shkojnë më tej me gjërat, dhe unë duhet të besoj se Albin Kurti do të fillojë reforma të vërteta që nuk janë bërë më parë. Kjo është e rëndësishme, njerëzve iu vjen mundim nga fakti që strukturat në vend nuk punojnë për ta, kështu që nëse u jepni njerëzve perspektivë dhe dialogu me Serbinë do të jetë më i lehtë, sepse atëherë flisni me njëri-tjetrin në një nivel më të mirë”, tha ai.

Duke komentuar deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se dialogu është prioritet i katërt ai tha se Kurti ka të drejtë.

“Unë mendoj se Kurti ka të drejtë. Ju së pari duhet t’ua “dorëzoni” njerëzve tuaj në shtëpi, dua të them kryesisht reformat ekonomike dhe sociale, si dhe luftën kundër korrupsionit. Në të kaluarën, këto biseda u përdorën si një justifikim nga politikanët që për shkak të dialogut nuk mund të bënin asgjë në shtëpi dhe tani jam i lumtur që ka një politikan në Kosovë që punon për çështjet e brendshme”.

“Ky është një parakusht për bisedime të mira. Është e rëndësishme të thuhet se Ballkani dhe dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit janë një agjendë evropiane”, tha ai./KlanKosova.