“Të parandalojmë dhe zgjidhim konfliktet”
Nga India ku mori pjesë në edicionin e nëntë të “Dialogut Raisina”, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani apeloi për forcim të bashkëpunimit për të parandaluar dhe zgjidhur konfliktet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Shohim se këto tendenca të rishikimit të historisë dhe përdorimit të shembujve të së kaluarës sonë të përgjakshme në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar po krijojnë probleme gjithnjë e më të mëdha. Prandaj, kemi nevojë për institucione më solide ndërkombëtare dhe na duhet më shumë mirëkuptim për gjërat për të cilat kemi rënë dakord”, tha Hasani.
Për kryediplomatin Hasani angazhimi në organizata ndërkombëtare, traktate apo forume mundësojnë eksplorimin e mënyrave të reja efektive për të ndërtuar një botë më të mirë.
“Multilateralizmi po vuan dhe nuk po vuan sot. Ka vuajtur në dy dekadat e fundit. Është duke vuajtur sepse disa vende në botë mendojnë ndryshe dhe nuk mendojnë se demokracia liberale e bazuar në ekonominë e tregut të lirë dhe sundimin e ligjit, është shembulli i duhur për t’u ndjekur”, tha ai.
Dialogu “Raisina” është konferenca kryesore e Indisë mbi gjeopolitikën dhe gjeoekonominë, që organizohet nga viti 2016.
Tv Klan