Rinisja procesit teknik të dialogut në Bruksel, në kohën kur pritej që ky proces të shkonte drejt një marrëveshjeje finale politike, po shoqërohet me kundërshtime në Prishtinë.

Përveç presidencës që është deklaruar kundër, edhe njohësit e proceseve politike kundërshtojnë rinisjen e një dialogu të nivelit teknik.

Ish-kryenegociatorja në dialogun teknik Kosovë-Serbi dhe ish-ministrja për Dialogun, Edita Tahiri, thotë se nisja e çfarëdo dialogu të ri të nivelit teknik, mund të shtyjë procesin e arritjes së marrëveshjes finale.

“Kam frikën se ajo që është paralajmëruar si dialog teknik për këtë javë mund ta fusë këtë proces edhe në dhjetë vjetët e ardhshme dhe kjo qasje nuk i sjell paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm as rajonit, e as marrëdhënieve mes të të dyja shteteve”, tha Tahiri në një bisedë për Radion Evropa e Lirë.

Pas 20 muajsh, dialogu Kosovë –Serbi ka rifilluar më 16 korrik në Bruksel, mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Dy temat kryesore në këtë takim ishin personat e pagjetur dhe bashkëpunimi ekonomik.

Pas këtij takimi, Brukseli paralajmëroi se dialogu në nivelin teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të rinisë të mërkurën, më 22 korrik.

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, pritet që në këtë takim të vazhdojnë diskutime lidhur me dy tema te ngritura në takimin Hoti – Vuçiq.

Sipas kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, te tema ekonomisë mes tjerash përfshihen edhe dëmet e luftës, borxhi shtetëror, pensionet, kursimet në banka si dhe dëmet e pronës private në kohën e luftës.

Ish-kryenegociatorja Edita Tahiri thotë se këto tema që janë diskutuar në takimin e javës së kaluar në mes të kryeministrit Hoti dhe presidentit Vuçiq duhet të përfshihen në kuadër të marrëveshjes finale e jo të diskutohen në proces teknik.

“Tani duhet të punohet për marrëveshjen finale si dhe brenda saj mund të adresohen çështjet që quhen teknike, por që janë shumë të rëndësishme, reparacionet e luftës, pastaj suksesioni, ndarja e pasurisë e të tjera. Por, nëse përsëri shkohet më gjëra teknike dhe pastaj të vihet me marrëveshjen finale, kjo ka rrezik që ta lë procesin të hapur pafundësisht”, tha Tahiri./REL