Ndërsa fletët e votimit do të nisen brenda kësaj jave të gjitha drejt shqiptarëve të regjistruar për të votuar nga jashtë, disa prej atyre që e kanë ushtruar këtë të drejtë e kanë bërë publike në rrjetet sociale.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ka tërhequr vëmendjen e votuesve nga jashtë të cilët mesa duket janë të painformuar se  publikimi i votës është vepër penale që dënohet nga ligji zgjedhor.

Ai siguron se fshehtësia e votës është e garantuar sa i takon KQZ-së dhe kërkon nga partitë të mos bëjnë deklarata lidhur me votimin nga jashtë që cënojnë integritetin e procesit.

E për të parë nga afër procesin e administrimit të zarfeve që kanë nisur prej mbrëmjes së djeshme të vijnë, në Parkun Olimpik ishte dhe kreu i misionit të ODIHR-it që do monitorojë zgjedhjet e 11 majit.

“Doja të shihja vet procesin si është organizuar dhe jam i impresionuar. Do të garantohet që të gjithë votuesit të votojnë dhe të dhënat personale të tyre të mbrohen”, tha ai.

Fletët e votimit që do të vijnë nga 85 shtete të botës do të numërohen në të njëjtën kohë me qarkun ku votuesi nga jashtë banonte përpara se të linte vendin.

Tv Klan