“Dieta Keto” është dieta më e përdorur vitet e fundit. Ajo është një dietë e varfër në karbohidrate, e pasur në yndyrna të mira dhe ofron shumë energji. Ushqimi në këtë dietë nënkupton zvogëlimin e karbohidrateve 20 deri në 50 gramë në ditë. Dieta ketogjenike u krijua në vitin 1920, ajo është mënyra e të ushqyerit që në praktikë ka treguar që mund të humbësh peshë. Qëllimi kryesor i kësaj diete është të induktojë ketozën, një gjendje metabolike, në të cilën trupi nuk përdor më glukozën si karburant, por yndyrat.

Është një dietë që kryhet 2 javë deri në 1 muaj. Rregulli kryesor i kësaj diete është se sheqeri duhet të përjashtohet krejtësisht nga menuja, gjithashtu edhe produktet e brumit. Disa nga ushqimet që lejohet të hani janë vaji, gjalpi, arrat, vezët, çfarëdolloj mishi, frutat me shumë fibra dhe produktet e bulmetit, përveç qumështit. “Dieta Keto” u bë e famshme nga Kim Kardashian, e cila falë kësaj diete ka humbur rreth 30 kilogramë pas lindjes. “Dieta Keto” do të thotë ndryshe të dobësohesh duke ngrënë.

Po për të folur më shumë rreth “Dietës Keto” dhe për të treguar eksperiencat e tyre ishin të ftuara në emisionin “Rudina” në Tv Klan nutricionistia Albana Daka, dermatologia Silvana Mishtaku, blogeria Odeta Banushaj dhe Amantia Mançaj, blogere ushqimesh e instruktore palestre.

“Termi dietë tek ne perceptohet sikur duhet të hash shumë më pak nga ç’ke ngrënë, ndërkohë që është një regjim ushqimor. Pra të marrësh kalori normale aq sa organizmit i duhen. Në Dietën Keto kemi të reduktuar sasinë e karbohidrateve që marrim në regjim, nuk merren sheqerna në formën e sheqerit. Unë jam në ditën e 8 të Dietës Keto dhe kam humbur 1 kile e gjysmë. Në një trup që ka disa kile ekstra, 4-5 kilogramë rënie peshe në muaj janë totalisht të shëndetshme. Një nga efektet negative të kësaj diete janë fibrat në sasi të limituar dhe personave që kanë probleme me tretjen mund t’iu shtohet ky problem”, tha nutricionistja Albana Daka.

“Unë e kam përfunduar Dietën Keto tashmë. Baza e saj është të eliminosh drithërat, siç është buka apo pastat. Problemi im ka qenë ngrënia e drithërave. Nuk është e vështirë ta mbash këtë dietë sepse është e pasur me ushqime të shëndetshme dhe unë ndihem shumë mirë dhe kam provuar larmishmëri ushqimesh më tepër se në të zakonshmen. Në total kam humbur 8 kilogramë në mënyrë graduale”, tha Silvana Mishtaku.

“Unë zgjodha të ndiqja regjimin Keto sepse jam nga ata perona, të cilët janë të varur nga karbohidratet dhe sheqernat. Fillova të mos e kisha më nën kontroll situatën dhe vendosa. Kjo është një lloj diete me të cilën nuk vuan për të ngrënë, nuk është torturuese”, tha blogeria Odeta Banushaj.

“Sot unë jam në ditën e 9-të të Ketos dhe nesër kam ditën e fundit. Kam vendosur ta mbaj vetëm 10 ditë. Unë jam shumë e varur nga frutat dhe vendosa të mbaj këtë lloj regjimi që të shmangia pak këtë varësi. E kam pasur të vështirë ditët e para, por duke qenë se me këtë dietë ndihesh e ngopur jam ndjerë mirë”, tha Amantia Mançaj, blogere ushqimesh./tvklan.al