Ymeri: Lidhet me detyrën time, por nuk më bëjnë dot presion

Makina e gjyqtarit të Shkodrës, Andri Ymeri është djegur plotësisht rreth orës 23:50, mbrëmjen e së dielës.

Kamerat e sigurisë së bizneseve aty pranë kanë fiksuar momentin kur dy persona me skafandër në kokë dhe me një motor janë afruar tek mjeti tip “Benz” i gjyqtarit.

Pasi e kanë lyer me benzinë ata i kanë vënë flakën makinës së parkuar pranë Kishës Françeskane, duke shkrumbuar edhe një automjet tjetër që ndodhej ngjitur me të.

Pasi dha deklaratën e tij në Prokurorinë e Shkodrës, gjyqtari Ymeri shprehu dyshime se ngjarja lidhet me detyrën e tij.

“Gjyqtari duhet të jetë i përgatitur për çdo gjë. Ne duhet të jemi të përmbajtur dhe çfarë kisha për të thënë, i thashë në polici. Normalisht që ngjarja ka lidhje me detyrën, por unë nuk tërhiqem. Nëse kam qenë unë objektivi, ta harrojnë se mund të më bëjnë presion”.

Andri Ymeri më herët ka mbajtur detyrën e kryetarit të Gjykatës së Shkodrës.

Tv Klan