Një ngjarje e tmerrshme ka ndodhur në qytetin Brisbane të Australisë, ku 4 persona janë djegur të gjallë brenda një automjeti që u përfshi nga flakët e zjarrit. Tre prej viktimave janë fëmijë, kurse i katërti është një burrë.

Ndërsa një grua ka pësuar djegie dhe është dërguar në spital. Dëshmitarët i kanë thënë policisë se kishin parë gruan e plagosur të dilte nga makina duke bërtitur “ai më spërkati me benzinë”. Më pas gjithçka shpërtheu në flakë.

Tre fëmijët dhe burri që ndodheshin brenda makinës u dogjën të gjallë. Një kalimtar tentoi t’i ndihmonte për t’i nxjerrë prej andej, por çdo gjë ishte e kotë. Qytetari pësoi edhe vetë lëndime teksa po përpiqej të ndihmonte.

Policia australiane nuk pranoi të komentonte nëse ngjarja ka të bëjë me dhunën në familje, por e përshkroi këtë ngjarje si një “incident të tmerrshëm”.

Edhe Kryeministri i Australisë Scott Morrison reagoi duke shprehur ngushëllimet për këtë tragjedi. /tvklan.al