Një makinë është djegur gjatë orëve të para të mëngjesit nëë Shkodër. Policia ka njoftuar se ngjarja ka ndodhur në lagjen “Tre Heronjtë”. Mjeti është në pronësi të efektivit të policisë, Sokol Kroni, në Shkodër dhe ka qenë i parkuar para banesës së tij.

“Më datë 14.05.2022, rreth orës 04:00, në lagjen “Tre Heronjtë”, Shkodër, është djegur pjesërisht mjeti tip “Mitsubishi” në pronësi të shtetasit S. K., 54 vjeç, me detyrë punonjës policie në Komisariatin e Policisë Shkodër. Automjeti ka qenë i parkuar përpara banesës së këtij shtetasi”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gazetarja e Klan News, Emi Kalaja ka siguruar pamjet nga momenti kur është ndezur qëllimisht zjarri në mjetin e 54-vjeçarit 

Vetë Kroni ka deklaruar se nuk ka konflikte me asnjë njeri. Ai ka shumë vite që shërben në Policinë e Shkodrës. Megjithatë sipas gazetares Kalaja dyshimet e para janë që kjo ngjarje të ketë ndodhur për shkak të detyrës duke qenë se ky efektiv policie ka qenë pjesë e aksioneve antikanabis, sidomos në zonën e Dukagjinit.

Deri më tani, autori i kësaj ngjarje ka mbetur i paidentifikuar. Policia po vijon punën për kapjen e tij dhe zbulimin e shkaqeve dhe rrethanave të plota të ngjarjes./tvklan.al