Mjeti në pronësi të Igli Kanit, po hetohet për zjarrvënie të qëllimshme

Ky është automjeti i sekretarit të gjyqtares së Krujës të arrestuar Enkeleida Hoxha, i cili u përfshi nga flakët gjatë natës. Makina tip BMV seria 1 në pronësi të 28-vjeçarit Igli Kani u dogj rreth orës 23 të mbrëmjes së të enjtes dhe nga flakët ka vetëm dëme materiale. Djegia e makinës u konstatua nga nëna e sekretarit Kani, e cila ka njoftuar zjarrfikësit dhe policinë.

Zyrtarisht policia thotë se ngjarja dyshohet aksidentale, por grupi hetimor është duke hetuar dhe për zjarrvënie të qëllimshme. Policia dyshon më shumë tek kjo pistë, pasi në pjesën e makinës që nuk është djegur, është gjetur përbërje lënde djegëse. Ngjarja ka ndodhur pranë banesës së Kanit, i cili është marrë në pyetje nga policia dhe është shprehur se nuk ka konflikte me njeri, por dyshon për ngjarje aksidentale.

Igli Kani, 28-vjeç punon si sekretari i gjyqtares Enkelejda Hoxha, që u arrestua nga një operacion i SPAK, nën akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrë. Emri i saj lidhet me lirimin e shumë të dënuarve, mes tyre Endrit Dokle dhe Genc Tafili. Asaj iu vunë prangat në sallën e gjyqit ku pritej të lirohej një tjetër i dënuar, Saimir Petani. Në pranga ranë edhe kryesekretarja Emanuela Mallkuçi, avokati Aldo Tabaku, të cilët kishin krijuar një skemë të mirëfilltë kriminale për lirimin e të dënuarve.

Krahas makinës së sekretarit të gjykatëses, gjatë natës janë djegur dhe 3 makina të tjera në qytetin e Lushnjës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 3 të mëngjesit, në lagjen “Çlirimi”, në parkimin e jashtëm të një qendre tregtare. Mjetet janë djegur plotësisht, dhe nga zjarri është dëmtuar pjesërisht edhe një magazinë aty pranë. Ndërhyrja e zjarrfikëse nuk ka bërë të mundur që të shmangë dëmin material të krijuar. Hetuesit dyshojnë se defekti elektrik i njërës prej makinave, ka shkaktuar dhe dëmet e tjera materiale.

Klan News