Një makinë tip kamionçinë u dogj gjatë natës në Vlorë. Ngjarja ndodhi në lagjen “Hajro Çakërri”.

“Më datë 17.05.2022, rreth orës 02:35, në lagjen “Hajro Çakërri”, ka marrë flakë dhe është djegur plotësisht automjeti tip “Mercedes-Benz”, në pronësi të shtetasit R. I., 58 vjeç, banues në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë”, njoftoi policia.

Pronari i mjetit Rushit Myrto Imeri tha se kjo është hera e dytë që ia kanë djegur makinën. Ai është shprehur se dyshon tek personi që ia ka djegur herën e parë makinën.

“Kjo është e dyta herë që më digjet makina. Dyshoj tek personi që ma ka djegur radhën e parë nëse është jashtë. Ai është nga Vlora, të ëmën e ka nga Elbasani. E përdor makinën për nevojat e mia personale, për punë. Unë dua të zbardhet ngjarja”, tha ai.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për përcaktimin e shkaqeve të rënies së zjarrit. Nga flaket është prekur edhe një mjet tjetër tip “Ford”. Mjeti tjetër është dëmtuar në  pjesën e pasme të tij./tvklan.al