Kamerat e sigurisë fiksojnë momentin

Ky është momenti kur i vihet zjarri automjetit në pronësi të Klodian Cacanit në afërsi të vendit të quajtur “Ura e Fajancës”, në Korçë. Ngjarja ka ndodhur në orën 01:00 të mëngjesit të kësaj të enjte.

Siç shihet në këto pamje makina tip Benz në pronësi të Cacanit, ka qenë e parkuar kur një person i paidentifikuar afrohet dhe spërkat me benzinë pjesën e kofanos së automjetit.

Pasi ka hedhur lëndë djegëse, autori i vë zjarrin dhe automjeti përfshihet menjëherë nga flakët. Përhapja e menjëhershme e tyre, ka dyshime se ka lënduar dhe vetë autorin i cili largohet menjëherë nga vendngjarja.

Pronari i makinës, Klodian Cacani nuk rezulton të jetë një person me precedentë, teksa mësohet se punon si bojaxhi. Përpara oficerëve të policisë ai ka mohuar të ketë konflikte.

Megjithatë grupi hetimor po verifikon çdo pistë të mundshme me qëllim identifikimin e autorit dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Tv Klan