Donald Trump, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duket edhe më i ashpër ndaj Ukrainës, pas takimit të përfaqësuesve të tij me ata rusë për fundin e luftës.
Në një postim në rrjetet sociale, ai e quajti presidentin ukrainas Volodymyr Zelenksy, “diktator pa zgjedhje”. Europën e akuzoi se ka dështuar të sjellë paqe.
“Zelensky pranon se gjysma e parave që u kemi dërguar ka “HUMBUR”. Ai refuzon që të mbajë zgjedhje, është shumë poshtë në sondazhe dhe e vetmja gjë ku ishte mirë ishte kur luante Biden-in “si violinë”. Një Diktator pa Zgjedhje, Zelensky bën mirë të lëvizë shpejt ose do të ngelë pa vend. Në të njëjtën kohë, po negociojmë me sukses për fundin e luftës me Rusinë, diçka që të gjithë e pranojnë se vetëm “TRUMP” dhe administrata e tij, mund ta bëjnë. Biden nuk u përpoq kurrë. Europa ka dështuar të sjellë paqe dhe Zelenksy me shumë mundësi do që ta mbajë “trenin me mish lëngu” të vijojë. E dua Ukrainën, por Zelensky ka bërë një punë të tmerrshme. Vendi i tij është shpartalluar dhe miliona njerëz kanë vdekur në mënyrë të panevojshme – dhe vazhdon”, shkroi Trump në rrjetin e tij social Truth.
Madje ai hodhi akuza ndaj Europës se kjo luftë i konvenon atyre më shumë se amerikanëve.
“Mendojeni pak, një komedian modest i suksesshëm, Volodymyr Zelenksy, bindi Shtetet e Bashkuara të Amerikës në shpenzimin e 350 miliardë Dollarëve, që të shkojnë në një luftë që s’mund të fitohej, që nuk duhej të kishte nisur fare, por një luftë që ai, pa SHBA-në dhe “TRUMP” nuk do jetë kurrë në gjendje ta rregullojë. Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar 200 miliardë Dollarë më shumë se Europa dhe paratë e Europës janë të garantuara, ndërsa SHBA-ja s’merr asgjë mbrapsht. Pse nuk kërkoi ‘I përgjumuri’ Joe Biden barazi. Për këtë arsye lufta është më shumë e rëndësishme për Europën sesa për ne. Ne kemi një oqean të madh e të bukur që na ndan”, tha Trump.
Në fakt, Trump reagoi ndaj një deklarate të Zelensky-t se presidenti amerikan është futur “në një flluskë dezinformimi rus”.

Zelensky: Nuk mund ta shes shtetin
Presidenti ukrainas doli në një konferencë për mediat gjatë ditës së sotme. Zelenksy tha se në këtë moment kushdo që do ta zëvendësojë si lider nuk do të funksionojë pasi vetë ai ka mbështetje të lartë popullore.
Ai tha se sipas një sondazhi, 58% e popullit kanë besim tek ai si udhëheqës. Akuza hodhi edhe ndaj Rusisë për dezinformim, madje se pre e tyre ka rënë edhe Trump.
“Me gjithë respektin për Presidentin Donald Trump si lider, por po jeton në këtë hapësirë dezinformomi”, tha ai.
Përgjigje i ktheu edhe propozimit të Trump për të lejuar SHBA-në që të marrë përqindje nga mineralet e rralla në Ukrainë duke përfshirë litiumin dhe titaniumin.
“Po mbroj Ukrainën, nuk mund ta shes. Nuk mund ta shes shtetin tonë”, tha ai.
Sipas përllogaritjeve të Ukrainës, kostoja e luftës deri më tani është 320 miliardë dollarë. 120 miliardë sipas tyre kanë ardhur nga taksapaguesit ukrainas dhe 200 të tjera nga SHBA e BE. Trump ka kërkuar ekuivalenten e 500 miliardë dollarëve vlerë në mineralet e rralla të vendit në shkëmbim të mbështetjes.
“Nuk është 500 miliard Dollarë [kostoja]”, tha Zelensky.

‘Sherri’ me Trump
Nuk do shumë mend për të kuptuar në fakt se mes presidentëve Trump e Zelensky, marrëdhëniet nuk janë shumë të mira. Kjo tregon sipas ekspertëve se sa afër është Ukraina për të humbur SHBA-në si aleat.
Nga ana tjetër, shumë janë kapur në befasi sepse ajo që thotë Trump është shumë pranë fjalëve që thotë edhe Moska. Megjithatë se çfarë veprimesh do të ndërmerren për t’i dhënë fund luftës janë ende të paqarta.

Po Europa çfarë bën?
Europianë vijojnë me takimet… mes njëri-tjetrit. E teksa SHBA e Rusia zhvilluan një takim në Arabinë Saudite, liderët europianë u mblodhën në Paris. Por edhe sot [19 Shkurt 2025] presidenti francez Emmanuel Macron pritet të mbajë një takim të dytë me liderët europianë.
Pak ditë më parë udhëheqësit europianë ranë dakord që të shpenzojnë më shumë mbi mbrojtjen dhe pranuan që Ukraina duhet të përfshihet në vendimet për të ardhmen e saj.
Reagimi erdhi pasi rusët dhe amerikanët nuk ftuan as Ukrainën e as europianët në takimin e tyre.

Putin “fërkon” duart
Presidenti rus ka nisur të buzëqeshë. Kur u pyet ditën e sotme nëse do të takohej me homologun amerikan, Putin u përgjigj shkurtimisht: “Me kënaqësi!”
Ai theksoi se nëse një takim i tillë do të zhvillohej duhet që të përgatitet mirë. Putin është shprehur se nuk ka marrëdhënie të afërta me Trump dhe se nuk e kanë parë njëri-tjetrin prej një kohe të gjatë. Megjithatë ai pranon se në mënyrë që të dy të takohen duhet të punojnë mbi çështje kyçe përpara.
“Nuk është detyrë e lehtë”, tha Putin.
Ndër të tjera ai tha se askush nuk po e përjashton Ukrainën nga bisedimet. Putin u shpreh për gazetarët se Donald Trump i kishte thënë në një bisedë telefonike se edhe Ukraina do të përfshihet në negociatat për fundin e luftës.
“Askush nuk po e përjashton Ukrainën nga ky proces”, tha Putin.

Shkroi: Gramoz Pisha, Tvklan.al