Aktualisht, Kim Jong-Un nuk duket se do të largohet nga pushteti i madh që ka në Korenë e Veriut. Megjithatë këtë të enjte mediat ndërkombëtare kanë raportuar se ai i ka deleguar disa nga përgjegjësitë më të rëndësishme motrës së tij, Kim Yo-Jong.

Shëndeti ka detyruar diktatorin të marrë këtë vendim, sipas shërbimeve të inteligjencës në Korenë e Jugut, për të ulur nivelin e stresit.

Por kush është Kim Yo-jong dhe a pritet që Koreja e Veriut të bëhet me diktatore?

Ajo është motra e vogël e Kim Jong-un. Krahasuar me motrat dhe vëllezërit e tjerë të diktatorit, ajo konsiderohet më e afërta dhe aleatja më e fuqishme. Yo-jong ka lindur në vitin 1987 dhe është katër vite më e re se Kim. Të dy ata kanë jetuar dhe studiuar në Bernë të Zvicrës për shumë kohë.

Për herë të parë, ajo fitoi vëmendjen e mediave në vitin 2018, kur u shfaq si anëtare e parë e dinastisë Kim në vizitën në Korenë e Jugut. Ajo ishte pjesë e delegacionit në Lojërat Dimërore ku Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut morën pjesë si ekip i përbashkët.

Ajo ka qenë në krah të vëllait edhe në samitet ndërkombëtare duke përfshirë disa prej takimeve më të rëndësishme, atë me Presidentin amerikan Donald Trump, Presidentin Kinez Xi Jinping dhe atë koreanojugor Moon Jae-in.

Për analistët nuk ka dyshim se Kim Yo-jong është një yll në ngjitje në Korenë e Veriut. Disa mendojnë që kriza mes Veriut dhe Jugut këtë vit u krijua vetëm për t’i dhënë asaj fuqi. Në Mars ajo dha deklaratën e saj të parë publike që ishte një sulm dënues ndaj Koresë së Jugut.

Më vonë, vetë deklaroi se i ishte dhënë pushtet pas autorizimit të Liderit Suprem, partisë dhe shtetit. Megjithatë BBC shkruan se ajo mund të mos jetë pasardhësja e vëllait të saj si udhëheqëse e Koresë së Veriut. Pushtet shtesë nuk i është dhënë vetëm asaj, por edhe ndihmësve të tjerë.

Në fakt edhe raportimet e shërbimeve sekrete thonë se Kim nuk ka ndërmend të lerë pushtetin pasi qëndron në kontroll të të gjitha gjërave. Gjithmonë është ai që i thotë gjërat i fundit./tvklan.al