Disa klube duan të rikthehen, të tjerë mbylljen e sezonit

Klubet e Superligës janë me sy e veshë nga qeveria për të mësuar fatin e sezonit të sivjetshëm të futbollit. Deri më tani nuk është marrë një vendim, edhe pse federata ka bërë disa kërkesa, madje ka propozuar edhe një protokoll të detajuar për sigurinë shëndetësore, për të gjithë personat që do të duhet të marrin pjesë organizmin dhe mbarëvajtjen e një ndeshjeje futbolli.

10 klubet e Superligës duan që verdikti përfundimtar të vendoset në fushën e lojës. Janë të gatshëm t’i përmbahen rregulloreve shëndetësore. Kthimi në fushën e lojës do të ishte një frymëmarrje financiare për ta, pasi do të sillte të ardhura nga e drejta televizive, duke qenë se është parashikuar që në stadiume ndeshjet të luhen pa tifozë.

Por gjithsesi mbetet një shqetësim mbi shëndetin e futbollistëve. Sipas eksperiencës së kampionateve në Europë, lojtarët do të duhet t’i nënshtrohen analizave anti-covid për të shmangur infektimin apo shpërndarjen e virusit. Por kush do t’i mbulojë kostot e analizave? Çfarë do të ndodhë nëse pas rifillimit të sezonit një futbollist do të rezultojë pozitiv me Covid-19?

Klubet kërkojnë një përgjigje nëse do të luhet ose jo. Kur mund të luhet dhe si do të procedohet pasi duhet parashikuar merkato, kontratat, rinovimi i tyre dhe studimi i tregut të futbollistëve për lojtarë të tjerë. Pas interesimit të Televizionit Klan në disa prej klubeve kryesore të Superligës, zyrtarisht Drejtori Sportiv i Tiranës tha se çdo ditë pa përgjigje, sjell humbje për klubin që vazhdon paguan lojtarët.

Ndërsa nën zë pjesa më e madhe e skuadrave, veç atyre në fundin e tabelës, duan që verdikti të vendoset sipas renditjes, në momentin e pezullimit të kampionatit. Ky është edhe një udhëzim i UEFA-s.

Deri më 8 Mars, Superliga luajti 26 javë kampionat. Tirana në krye të renditjes me 9 pikë më shumë se Kukësi i vendit të dytë dhe 12 më shumë se Laçi i vendit të tretë. Jashtë vendeve për garat europiane, Skënderbeu, Teuta, Partizani dhe Bylis. Në fund të renditjes dhe pa shpresa Luftëtari dhe flamurtari. Vllaznia duhet të luante play out për të siguruar qëndrimin në Superligë.

Tv Klan