Rezultojnë pozitiv dy futbollistë të Atletico Madrid

Kur u duk se gjithçka po shkonte normalisht, nga Spanja vjen një lajm i bujshëm për futbollin europian. Përpara udhëtimit drejt Portugalisë për të marrë pjesë në raundet e mbetura të Ligës së Kampionëve, skuadra spanjolle e Atletico Madrid ka konfirmuar se 2 prej futbollistëve të saj kanë rezultuar pozitiv në testin e fundit të Covid-19.

Rezultatet që vënë në rrezik mbarëvajtjen e raundeve të mbetura të Ligës së Kampionëve, por më konkretisht duelin çerekfinal të së enjtes ndaj Leipzig.

Atletico Madrid komunikoi se do të zbatojë në mënyrë strikte protokollin shëndetësor për t’u mbrojtur nga koronavirusi. Por nëse ditën e nesërme rezultojnë më shumë futbollistë pozitivë, ndeshja në fjalë rrezikon shumë. Emrat e anëtarëve të ekipit nuk janë zbuluar.

Ata të dy janë izoluar dhe testet e radhës do zhvillohen gjatë ditës së sotme. UEFA e ka bërë të qartë se, nëse ka raste pozitive, zëvendësohen menjëherë me të tjerë, nëse del shumica e ekipit, fiton në tavolinë ekipi tjetër. Në këtë mënyrë, Champions League do të shkojë deri në fund.

Klan Plus