Banesa e familjes Cera në Milot të Kurbinit është përfshirë nga flakët e zjarrit rreth mesnatës, duke u shkrumbuar tërësisht. Për fat të mirë, 7 anëtarët e kësaj familje mundën të shpëtonin duke dalë në kohë jashtë shtëpisë.

E zonja e banesës ka treguar të gjithë dinamikën si ndodhi ngjarja. Dyshohet se zjarri nisi te kutia qëndrore e automatit për shkak të një shkëndije elektrike.

Ajo ka qenë personi i parë që pa zjarrin dhe i zgjoi të tjerët nga gjumi dhe kanë dalë nga dritarja. Ndërsa e gjithë banesa dhe orenditë shtëpiake janë djegur tërësisht.

Ngjarja ka ndodhur në orën 00:20. Ishim në gjumë, jemi 7 pjesëtarë të familjes. Veç kur mori flakë vendi edhe bërtita dilni se u dogjëm. Kanë marrë kalamajtë, nxorrën djalin nga dritarja. Plaku mbeti brenda, hyri djali në flakë e nxorri përjashta edhe kanë kryetari i komunës, ka ardhur kryeplaku i Milotit, kanë ardhur të gjithë rinia e më kanë ndihmuar me ujë për të shuar zjarrin, por mori flakë. Ne jemi dy pensionista, njerëzit i kam pa punë, fëmijët e vegjël, unë i kërkoj ndihmë shtetit, bashkisë të vënë dorë se ne jemi krejt përjashta. Unë për vete nuk kam asnjë lloj force ta rregulloj shtëpinë. Është djegur krejt.

Tani vonë e kemi bërë shtëpinë. Si vlerë leku ka shkuar 90 milionë Lekë, por shteti sa të ketë mundësi të na ndihmojë. Unë për vete jam pensioniste. Shkaku i zjarrit ishte automati, shkëndijë elektrike. E kam parë unë e para zjarrin, mori flakë këtu te dera. Atëherë bërtita unë dilni, kemi dalë nga dritarja, shyqyr që s’pata hekur në dritare, kemi dalë përjashta. Bërtita për ndihmë edhe kanë ardhur të gjithë. Unë s’kam asnjë lloj vërejtje, shteti e mbulon. Në qoftë se ka mundësi shteti të vëjë dorë, ja dimë për nder. Unë me forcat e mia nuk mund ta ndreq. Sot do qëndrojmë përjashta, s’kemi ku qëndrojmë”, shprehet zonja e shtëpisë. /tvklan.al