Vllaznia pret privatizimin për përforcime

Pas Herald Markut, Partizani i merr edhe një lojtar tjetër Vllaznisë. Dajan Shehi nuk është më pjesë e ekipit shkodran duke kaluar tek Partizani. Këtë e ka njoftuar vetë futbollisti përmes rrjeteve sociale. Pritet që qendërmbrojtësi elbasanas të prezantohet në Ohër nga drejtuesit e kuq, duke iu bashkuar menjëherë skuadrës në stërvitje në prag të ballafaqimit në Conference League. Shehi firmos kontratë 2-vjeçare, me opsion rinovimi për një tjetër sezon.

Ndërkohë, Romeo Harizaj, portieri që u grumbullua në Kombëtare për miqësoret e qershorit, mund të quhet pjesë e Dinamos për sezonin e ri. Klubi blu i kryeqytetit dhe ai i Apolonisë, që disponon kartonin e 22-vjeçarit, arritën marrëveshjen finale mes tyre, 50% e kartonit do ta zotërojë Dinamo dhe po aq Apolonia. Në rast shitjeje të portierit në të ardhmen, atëherë klubet do të ndajnë përfitimet.

Dinamo duket se është ekipi më aktiv, pasi po ndërton gjithçka nga e para për Superligën. Janë disa lojtarë që priten të firmosin shpejt për blutë, si Patrik Bardhi, Dorian Kërçiku, Marin Abazaj, Olsi Teqja dhe Enis Gavazaj. Edhe Eni Imami është gjithashtu në planet e Dinamos, por futbollisti do të përfundojë aventurën në kupat e Europës me Vllazninë. Sa i përket shkodranëve merkato mbetet pezull pasi stafi teknik pret rezultatet e privatizimit për të vijuar punën me afrimet e lojtarëve të rinj.

Tv Klan