Përballet me Egnatian për trofeun e kampionit

Dinamo është edhe zyrtarisht fituese e Grupit A ose grupit të Veriut në Kategorinë e Parë të futbollit shqiptar. Në ndeshjen e fundit blutë e kryeqytetit u mundën 2-1 nga Burreli. Matjanët shënuan nga një gol për secilën pjesë loje, fillimisht me Ferrukun, në minutën e 7-të.

Rexhepi shënoi sërish për vendasit 15 minuta para fundit të kohës së rregullt. Goli i Alillarit për Dinamon në fund ishte sa për statistikë, edhe për faktin se Dinamo e kishte siguruar ngjitjen në Superligë një javë më parë.

Fitorja i shërben Burrelit për të vijuar më tej betejën midis dy vendeve të dyta të Kategorisë së Parë, fituesja e të cilës do të përballet në “play-off”-in me skuadrën që do të renditet e 8-ta në Kategorinë Superiore. Ndërsa për t’u shpallur kampione e Kategorisë së Parë Dinamo do të përballet me Egnatian, e cila u rendit fituese e Grupit B.

Tv Klan