Fosilet

 

Kjo mund të jetë krijesa më e madhe që ka ecur ndonjëherë në tokë.

Bëhet fjalë për një lloj dinosauri, pesha e të cilit mendohet të ketë qenë 77 tonë, ose sa 14 elefantë afrikanë të marrë së bashku. Fosilet e kësaj kafshe parahistorike janë gjetur në gjendje shumë të mirë shkretërirën e La Fleçës në jug të Argjentinës, rreth 135 milje në perëndim të qytetit Treleu në Patagoni.

Bazuar në matjet e paleontologëve kafsha gjigande mendohet të ketë patur një gjatësi prej 40 metrash nga koka te bishti dhe një lartësi 20 metra, ose sa një ndërtesë 7-katëshe.  Shkencëtarët besojnë se kemi të bëjmë me një specie të re titanosauri, por pa e specifikuar ende llojin e saj.

Fosilet u gërmuan nga një ekip i  Muzeut të Paleontologjisë, i cili zbuloi pjesë të ndryshme të skeletit, në total 150 eshtra. Ata kryen një sërë matjesh, duke nisur nga shpatullat deri te shputat e këmbëve dhe përllogaritën me afërsi se kafsha gjigande peshonte 77 tonë. Shkencëtarët gjithashtu hulumtuan edhe shkëmbinjtë ku u gjetën fosilet dhe mendojnë se dinosauri gjigand mund të ketë jetuar në pyjet e Patagonisë rreth 95 ose 100 milionë vjet më parë. Po në këtë zonë, janë zbuluar mbetjet e një tjetër kafshe gjigande, e cila mbante deri tani rekordin e peshës, e që mendohet të ketë patur një masë prej rreth 70 tonësh, që njihet në rrethet shkencore me emrin Argentinosaurus.