Diplomacia amerikane kritikon Ankaranë




Diplomacia amerikane kritikon Ankaranë

23:06 11/03/2021

Blinken kërkon nga palët që të zgjidhin në paqe mosmarrëveshjet

Gjatë fjalimit përpara Komitetit për Punët e Jashtme të kongresit, sekretari i ri amerikan i shtetit Antony Blinken nënvizoi se mosmarrëveshjet energjetike dhe territoriale mes Athinës dhe Ankarasë duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore, diplomatike, jo ushtarake dhe jo përmes veprimeve provokuese.

“Ne i kemi ndjekur me shqetësim zhvillimet në Mesdheun Lindor dhe do të luajmë një rol aktiv për të promovuar stabilitetin në rajon. Ne kemi kritikuar veprimet e Turqisë, që shkelin ligjin ndërkombëtar dhe angazhimet e saj si shtet antar i NATO-s, duke përfshirë veprimet provokuese kundër Greqisë dhe shkeljet e hapësirës ajrore të saj,” tha Blinken.

Blinken përshëndeti rinisjen e bisedimeve kërkimore midis Greqisë dhe Turqisë të përfshira prej vitesh në një konflikt rreth ndarjes së zonave ekskluzive ekonomike detare në Mesdhe.

“Mendoj se nga zhvillimet pozitive që kanë ndodhur javët e fundit ka patur një reduktim të ndjeshëm të temperaturës. Në këto çështje me Turqinë jemi kordinuar me Bashkimin Evropian dhe të tjerët që të ecin përpara në një mënyrë më produktive.”

Lidhur me çështjen e Qipros, Blinken përsëriti mbështetjen e SHBA-së për një rezolutë të qëndrueshme që ribashkon ishullin si një federatë. Në Qipro zhvilloi bisedime për të ardhmen e bashkëjetesës mes turqve dhe grekeve edhe shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrel.

Klan News





Të ngjashme