Shefat e misioneve diplomatike të Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë, u shprehën të martën të shqetësuar që institucionet e Kosovës ende e kanë zbatuar plotësisht regjistrimin e ligjshëm të pronës së Manastirit të Deçanit në përputhje me një vendim të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016.

Në një komunikatë të përbashkët diplomatët thanë se “moszbatimi i këtij vendimi dhe vendimeve të tjera të gjykatës dëmton zotimin e qeverisë për zbatimin e sundimit të ligjit dhe respektin e saj për një gjyqësor të pavarur. Zbatimi i këtyre vendimeve paraqet përgjegjësi themelore demokratike të domosdoshme për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e ardhshëm euroatlantik”.

Edhe njëherë, thuhet në komunikatë “e inkurajojmë qeverinë e Kosovës të lërë anash mospajtimet politike, të përqafojë përgjegjësitë e saj demokratike dhe të zbatojë plotësisht të gjitha vendimet e Gjykatës”.

Në muajin shtator, Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se e ka njoftuar kryeprokurorin e Shtetit, për moszbatimin e vendimit të saj me të cilin Manastirit mesjetar të Deçanit, rreth 90 kilometra në perëndim të Prishtinës, i njihet e drejta e pronës mbi rreth 23 hektarë tokë.

Vendimi i Kushtetueses i vitit 2016, nuk është zbatuar asnjëherë nga institucionet e Kosovës, përkatësisht komuna e Deçanit, drejtuesit e së cilës thonë se këto prona janë të dy ndërmarrjeve publike dhe se gjykata ka fuqizuar një marrëveshje të vitit 1997, kur administrata serbe i kishte kaluar në pronësi të manastirit ato toka./VOA