Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, përkujtuan në një deklaratë të përbashkët masakrën e Reçaku të para 21 vjetësh.

Në deklaratë thuhet se 21 vjet më parë “masakra që ndodhi në Reçak, çoi në fund në ndërhyrjen e NATO-s për t’i dhënë fund katastrofës humanitare”.

“Ne e nderojmë kujtimin e atyre që humbën jetët në Reçak dhe masakrat e tjera në Kosovë dy dekada më pare, duke punuar së bashku për të ndërtuar një të ardhme të paqes, drejtësisë dhe mirëqenies për brezat e ardhshëm”, thuhet në deklaratë në të cilën theksohet se qeveria e Kosovës dhe qeveria e Serbisë duhet të sigurojnë që viktimat dhe familjet e tyre të kenë qasje të plotë në drejtësi dhe në informatat për fatin e më të dashurve të tyre.

“Qytetarët e të gjitha etnive dhe besimeve ndjehen në shtëpinë e tyre dhe të lirë për të jetuar, punuar dhe besuar në paqe me fqinjët. Siç edhe thotë Deklarata e Pavarësisë së këtij vendi, Kosova është një vend ‘i përkushtuar për të përballuar trashëgiminë e dhimbshme të së kaluarës në një frymë pajtimi dhe faljeje. Të përkushtuar për mbrojtjen, promovimin dhe nderimin e larmisë së popullit tonë’. Qëllimi ynë i përbashkët është të mbështesim vazhdimisht Kosovën në këtë rrugë”, thuhet në deklaratë.

Edhe shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova, në një postim në rrjetet sociale përkujtoi masakrën e Reçakut.

“Përkujtimi i këtyre ngjarjeve të dokumentuara na kujtojnë rëndësinë e paqes, drejtësisë dhe ripajtimit”, shkroi ajo.

Në mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999, forcat serbe ndërmorën një sulm kundër fshatit Reçak, në komunën e Shtimjes, në jug të Prishtinës. Ata hynë shtëpi më shtëpi, ndanë meshkujt më vete dhe ekzekutuan rreth 45 prej tyre.

Të nesërmen, ish drejtuesi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, shkoi në vendin ku ishin hedhur kufomat dhe e quajti aktin një masakër dhe krim kundër njerëzimit, të kryer nga forcat serbe.

Masakra e Reçakut në vitin 1999 shënoi fillimin e një fushate të re diplomatike në përpjekje për t’i dhënë fund luftës dhe një muaj më vonë përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë u takuan në Rambouillet të Francës, në bisedimet e ndërmjetësuara nga bashkësia ndërkombëtare.

Në mars të atij viti marrëveshja e hartuar nga diplomatët ndërkombëtarë nuk u nënshkrua nga Beogradi dhe NATO-ja filloi fushatën 78ditëshe të bombardimeve që detyroi tërheqjen e forcave serbe nga Kosova dhe vendosjen e NATO-s dhe administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Në muajin dhjetor të vitit që lamë pas, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç nxiti reagime të ashpra duke e mohuar masakrën e Reçakut.

Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, ndërsa edhe 20 vjet më pas nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1 mijë e 600 personave./VOA