Ngrirja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ka vënë në lëvizje Shtetet e Bashkuara që po përpiqen të afrojnë palët drejt një marrëveshjeje historike. Beogradin dhe Prishtinën i viziton më 8 dhe 9 Mars Zëvendës Sekretari Amerikan i Shtetit David Hale, i cili theksoi se zgjidhja mund të vijë shpejt.

“Ka mundësi që gjatë këtj viti të arrihet një marrëveshje, nëse fillojnë bisedimet. Është koha që të marrin fund provokimet nga të dyja palët. Të pezullohen tarifat, që Beogradi dhe Prishtina t’u kthehen bisedimeve të drejtuara nga Bashkimi Europian dhe që të dyja palët të jenë të përcaktuara për paqe”.

Në një prononcim për të përditshmen serbe Danas, diplomati amerikan tha se nuk u takon Shteteve të Bashkuara që të diktojnë përfundimin e bisedimeve apo një recetë të caktuar për paktin Prishtinë – Beograd.

Në një njoftim të DASH, thuhet se “në Beograd zoti Hale do të bisedojë me zyrtarët serbë marrëdhëniet dypalëshe dhe do të nxisë kthimin në tryezën e bisedimeve”.

David Hale është zyrtari më i lartë amerikan që viziton së fundi Kosovën. Javën e kaluar, dy zyrtarë të lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, qëndruan për dy ditë në Prishtinë për të siguruar pezullimin e tarifave ndërsa paralajmëruan masa ndëshkuese nëse Kosova vazhdon të refuzojë kërkesat e tilla. Ai pritet të diskutojë për çështje rajonale e globale, përfshirë ndikimin rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimor.

Të enjten komandanti i forcave amerikane në Europë, Curtis Scaparrotti, paralajmëroi se Rusia kërkon të destabilizojë Ballkanin dhe të pengojë marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.

Tv Klan