Targat e makinës së autorëve të vjedhura në Qershor

Targat e Kosovës të vendosura në makinën tip “Benz” të përdor nga autorët për vrasjen e Demir Backës, rezultojnë të vjedhura në muajin Qershor në qytetin e Durrësit. Kjo i bën hetuesit të besojnë se plani për atentatin është i mirëmenduar dhe ka marrë disa muaj kohë, nga gjetja e mjeteve për vrasjen, te ruajtja dhe më tej finalizimi.

Nga rindërtimi i ngjarjes përmes kamerave të sigurisë, dyshohet se pjesë aktive e atentatit kanë qenë 3 persona, dy prej të cilëve kanë qëlluar dhe një tjetër ka pasur drejtimin e makinës. Sipas burimeve, mësohet se 57-vjeçari ka marrë 3 plumba në zonën e qafës dhe disa të tjerë në gjoks, duke i sjell vdekjen.

Policia dhe Prokuroria kanë shoqëruar dhjetëra dëshmitarë dhe persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen, por të gjithë janë lënë të lirë pas marrjes në pyetje.  Grupi hetimor ka dy pista kryesore ku po verifikon, e që lidhen me konflikte të mundshme për bizneset dhe një sherr mëparshëm me një personazh të botës së krimit në Fier.

Gjithashtu Policia bëri transportimin e automjetit të djegur nga autorët në ambientet e komisariatit të Fierit, për të bërë ekzaminimet dhe për të parë nëse mund të gjejnë ndonjë provë tjetër që mund të ndihmojë në hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes. Demir Backa u vra të shtunën në mbrëmje nga persona ende te paidentifikuar në rrethrrotullimin e QTU-së në Fier.

Tv Klan