Djali i vogël, i cili orët e para të së mërkurës ra viktimë e plumbave që Jetmir Koxherri zbrazi në drejtim të shtëpisë së të miturit, është jashtë rrezikut për jetën. Burime zyrtare konfirmojnë për tvklan.al se 6-vjeçari, i cili u transportua me helikopter nga spitali i Dibrës drejt atij të Traumës në Tiranë, ndodhet nën vëzhgimin e stafit mjekësor.

Më herët, mjeku Agron Mezenxhiu që e trajtoi fillimisht të miturin në Dibër, tha se fëmija kishte marrë katër plagë në fytyrë e trup.

“Fëmija erdhi rreth orës 01:00, i plagosur me armë zjarri. Kishte një plagë të madhe në fytyrë dhe plumbi i ngelur mbrapa qafës. Kishte një dëmtim në kyç dhe një plagë të madhe në kofshën e djathtë. Gjithashtu kishte dhe një plagë, e cila mund të ishte një rikoshetë në bazën e hemitoraksit të majtë. U reanimua, ishte në gjendje të rëndë me anemi të theksuar. U reaminua në spitalin e Dibrës me gjak. Gjendja u stabilizua. Rreth orës 07:00 u lajmërua qendra në Tiranë dhe erdhi helikopteri, e çuam për një trajtim më të specializuar në Spitalin e Tiranës. Aktualisht u reanimua me tërë mjetet e mundshme në spitalin e Dibrës”, tha Mezenxhiu.

Plagosja e 6-vjeçarit erdhi si pasojë e një konflikti për motive të dobëta të ndodhur në një lokal të fshatit Krastë. Në konflikt u përfshinë 3 persona, mes tyre babai i 6-vjeçarit, M.Rrushi dhe 27-vjeçari Jetmir Koxherri. Ky i fundit, pas sherrit u largua nga lokali, vajti në shtëpi dhe mori armën e më pas hapi zjarr në drejtim të shtëpisë së Rrushit. Autori i dyshuar i ngjarjes u arrestua gjatë orëve të mëngjesit.//tvklan.al