Bode: Po kryhen kirurgjitë abdominale e hemorragjitë gastrointestinale

Pas incidentit të ndodhur në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, një pjesë e urgjencave dhe ndërhyrjeve janë transferuar në Spitalin e Traumës ku çdo ditë paraqiten mesatarisht mbi 200 urgjenca.

Sipas Drejtores së Spitalit Universitar të Traumës, Edlira Bode fluksi është i përballueshëm pasi është shumë larg shifrave të larta që janë kryesisht përgjatë verës.

Edlira Bode: Spitali i Traumës trajton mesatarisht 200, 220 urgjenca në ditë. Kanë qenë po kaq sepse sipas sezoneve edhe këtu numri i urgjencave që paraqiten çdo ditë nuk është i njëjtë. Jemi në periudhë të maksimumit turistik dhe aksidenteve.

Shërbimet e QSUT-së që aktualisht janë transferuar tek Trauma janë kirurgjitë abdonimale dhe hemorragjitë gastrointestinale.

Edlira Bode: Qytetarët përveç traumave, drejtohen për urgjenca të kirurgjisë abdominale dhe hemorragji gastrointestinale. Ka dhe mjekë e personel infermieror, edhe mjekë që paraqiten fizikisht në spital, edhe ata që janë në gatishmëri në rast nevoje.

Për të shmangur çdo sorollatje të qytetarëve, ka një koordinim mes Urgjencës Kombëtare dhe Spitaleve Rajonale.

Edlira Bode: Koordinimi ka qenë i shkëlqyer mes spitaleve, edhe me Qendrën Kombëtare të Urgjencës Shëndetësore, pra 127-a. Ne jemi të njoftuar paraprakisht edhe nga spitalet rajonale kur ata nisin një pacient, në mënyrë që të përgatitemi për natyrën e rastit dhe nevojën që ka.

Gjithashtu edhe në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” janë transferuar një pjesë e urgjencave dhe ndërhyrjeve. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë shumë shpejt spitali i ri në QSUT do t’i kthehet normalitetit pas incidentit të 11 Shkurtit.

Klan News