Shkatërrohen 4 grupe kriminale të trafikut të drogës – TV KLAN

Shkatërrohen 4 grupe kriminale të trafikut të drogës

20 persona në pranga, tentuan të trafikojnë 3.5 ton kanabis

4 grupe kriminale, të cilat trafikonin kanabis nga Shqipëria në Itali janë shkatërruar në një operacion të përbashkët mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane. 20 persona janë vënë në pranga dhe 7 të tjerë janë shpallur në kërkim, si rezultat i një hetimi nisur në vitin 2016.

Sipas drejtueses së Prokurorisë për Krimet e Rënda Donika Prela, këto grupe, në kohë të ndryshme kanë tentuar të trafikojnë rreth 3.5 ton kanabis, në katër episode të ndryshme. Prokurori i çështjes Përparim Kulluri tha se hetimi tashmë është fokusuar tek pasuria e personave të përfshirë në trafik.

Operacioni i kësaj të hëne erdhi 10 ditë pas vizitës së kreut të Antimafia italiane në Shqipëri, Federico Cafiero De Raho. Përmes një video konference nga Italia, ai u shpreh se këtyre grupeve, përveç trafikut të drogës i është faktuar edhe trafiku i armëve.

Ndërsa Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, me anë të një postimi në Twitter shkruajti: “Një tjetër goditje e rëndësishme për krimin e organizuar ndërmjet Shqipërisë e Italisë. Finalizimi i operacionit të përbashkët mes policive të të dy vendeve, një provë tjetër e qartë e vullnetit dhe e kapaciteteve për çmontimin e krimit të organizuar. Operacioni vazhdon…”

Tv Klan

Kategori
KronikeLajmet KryesoreTë gjithaVideo
0 Komente

Përgjigju

*

*

Emisione