Gjatë 24 orëve të fundit, nga Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, janë evidentuar dhe ndaluar 3 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale, si: “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, “Falsifikim të dokumentave”, dhe ” Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”.

Është arrestuar një person për ”Falsifikim të Dokumenteve”, si dhe është proceduar penalisht një grua për “Kalim të paligjshëm të kufirit”.

Në një njoftim për mediat, policia sqaron:

-Të enjten në Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas u ndalua në hyrje Nikë Muri, një 59-vjeçar, banues në Shkodër, i shpallur në kërkim, i cili udhëtonte si pasagjer i zakonshëm nga Gjermania për në Shqipëri.

“Ndalimi i tij u bë pasi gjatë verifikimeve në sistemin TIMS, ky shtetas rezultoi person në kërkim, pasi Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda me datë 19.12.2014, ka sjellë urdhërin për ekzekutimin e Vendimit Penal nr. 128 dt.18.12.2014 të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, e cila e ka dënuar këtë shtetas me 14 vjet burg, nga të cilat ka vuajtur 711 ditë burg dhe i mbeten për të vuajtur edhe 4402 ditë burg. Vepra Penale: “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” në bashkëpunim dhe “Prodhim e mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake””.

Më datë 10 Shtator të 2013-s, Muri pas një konflikti me vëllain e tij M.Muri dhe djalin e tij Gj.Muri në debat e sipër ka vrarë me armë zjarri nipin, Gj.Muri.

I arrestuari iu dorëzua Patrullës së Përgjithshme të Policisë DVP Shkodër për shoqërim dhe veprime të mëtejshme, ku në përfundim të veprimeve, Specialistët për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër kanë bërë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës.

– Po të enjten, në orën 16:40, në Komisariatin e Policise Kufitare Rinas u ndalua në hyrje shtetasi i shpallur në kërkim Emiljano Arapi , 25 vjeç, banues në Berat, i cili po kthehej si pasagjer i zakonshëm nga Italia.

“Nga verifikimet në sistemin TIMS rezultoi se shtetasi Emiljano Arapi, ishte i shpallur në kërkim pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda Tiranë më datë.11.12.2017 ka nxjerr urdhërin për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, për Krimet e Rënda Tiranë, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me Burg” , si i dyshuar për veprën penale ‘’Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë e kryer në bashkëpunim”.

Ai iu dorëzua Patrullës së Përgjithshme të Policisë DVP Berat për shoqërim dhe veprime të mëtejshme, ku në përfundim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Krimit në Policinë e Beratit kanë bërë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës.

3-Ndërsa personi tjetër i ndaluar në hyrje është Fabion Guri, 40-vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve “, i cili po kthehej si deportiv nga Italia.

Nga verifikimet në sistemin TIMS rezultoi se:

“Fabion Guri, ishte i shpallur në kërkim pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka dërguar urdhërin e dt. 22.12.2016 për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila e ka dënuar me 3 muaj burg, për veprën penale “Falsifikim të dokumentave””.

Ai iu dorëzuar Patrullës së Përgjithshme të Policisë së DVP Tiranë për shoqërim dhe veprime të mëtejshme, ku në përfundim të veprimeve nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës.

**

Gjithashtu në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, gjatë 24 orëve të fundit u evidentuan dhe u goditën dy raste konkretisht:

1.Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas u bë arrestimi në flagrancë i  Klevi Konda, 20 vjeç, banues në Durrës. Arrestimi i tij është bërë pasi do të udhëtonte në dalje nga R.SH dhe nga kontrolli në vijën e dytë i bërë nga shërbimet e Policisë Kufitare ju gjet një letërnjoftim italiane e dyshuar si e falsifikuar.

Arrestimi i tij u bë për ”Falsifikim i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe ”Falsifikim të Dokumentave”.

2.Po në Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për M.T, 41 vjeçe, banuese në Cërrik Elbasan , për arsye se me datë 25 ajo është kthyer si person i kategorisë deportiv nga Italia dhe nga verifikimi në sistemin TIMS rezulton se kufirin herën e fundit e ka kaluar në mënyrë ilegale, nga kufiri jeshil në afërsi të P.K.K.Morinë duke shmangur kontrollin kufitar. Ajo u procedua për veprën penale “Kalim të paligjshëm të kufirit”.

/tvklan.al