Policia ka shkatërruar një rrjet kriminal në Shkodër që jepte para me fajde. 12 persona kanë rënë në pranga, mes tyre ish-Kancelari i Gjykatës së Shkodrës, Artan Dragani, avokatë e policë.

Nëse paratë nuk ktheheshin për një javë, anëtarët e këtij grupi u merrnin qytetarëve pronat, shtëpitë dhe gjithçka që kishin. Sipas policisë, huatë jepeshin me interesa nga 3 deri në 20 përqind.

Zbulimi i këtij rrjeti u bë pas disa muaj hetimi të Prokurorisë së Shkodrës, e cila me vendim gjykate kishte realizuar një sërë përgjimesh telefonike  e ambientale. Rreth 20 persona kishin denoncuar me emra konkretë anëtarët e këtij grupi, mes tyre edhe ish-Prefekti i Shkodrës, Paulin Radovani. Djemtë e tij kishin marrë para hua tek anëtarët e këtij grupi. Pas kërcënimeve, Radovani denoncoi në polici.

Policia bëri publik rezultatet e aksionit ku u sekuestruan 238 mijë Euro, 272 mijë Dollarë dhe 20 automjete. Grupi kishte me shumë se 6 muaj që ushtronte aktivitetin kriminal. Noterja Valbona Hajdari dhe dy punonjës policie të përfshirë në këtë rrjet u pezulluan nga detyra. Për aksionin reagoi dhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili tha se krimi mori një tjetër goditje të fortë. Ndërsa Kryeministri Rama theksoi se pas këtij aksioni, qyteti i Shkodrës është më i sigurt.

Tv Klan