Të paktën 12 persona janë shoqëruar nga policia ndërsa janë ushtruar kontrolle në disa banesa, për vrasjen e Tauland Gjikajt. 31-vjeçari u ekzekutua me armë zjarri mesditën e së mërkurës në qytetin e Vlorës.

3 ishin personat që morën pjesë në vrasjen e Gjikajt. Një prej tyre, 44-vjeçari Hans (Andi) Jonuzi u vu në pranga pak kohë pas krimit, ndërsa 2 të tjerët janë në kërkim. Burime për Klan News bëjnë të ditur se ata janë identifikuar si Skedjan Gabrani dhe Elton Hajnaj.

Autoritetet sekuestruan edhe makinën me të cilën udhëtonin autorët e dyshuar të ngjarjes, si dhe armën me të cilën ekzekutuan 31-vjeçarin.

Motivet e kësaj ngjarjeje nuk dihen ende.

Tauland Gjikaj ishte një emër i njohur për drejtësinë. Ai kishte qenë hetuar dhe dënuar për armëmbajtje pa leje dhe vrasje të mbetur në tentativë, ndërsa mësohet se përdorte disa emra.

Gjikaj kishte qenë i përfshirë në një përplasje me armë zjarri të ndodhur në vitin 2018 në lagjen 28 Nëntori në Vlorë, ku mbetën të plagosur 3 persona. /tvklan.al