E plotë në Greqi dhe Turqi, të tjerat mbyllin klasat

Shkollat dhe institucionet arsimore renditen ndër vatrat kryesore të përhapjes së koronavirusit për shkak të grumbullimit të pashmangshëm të një numri të lartë personash nëpër klasa. Për këtë arsye shumë vende europiane dhe jo vetëm kanë nisur të kufizojnë mësimin në institucionet arsimore dhe po çojnë deri në mbylljen e tyre.

Rasti më i fundit është Turqia, ku Presidenti Rexhep Taip Erdogan renditi mbylljen e shkollave deri të paktën në fund të këtij viti, mes masave të ashpra kundër përhapjes së COVID-19 që hyjnë në fuqi të premten. Vendimi erdhi pasi të martën, Turqia shënoi rekordin e kësaj vale prej mbi 3800 infektimesh ditore.

Në të njëjtat kuota ditore infektimesh, edhe Greqia vendosi këtë javë të mbyllë shkollat, si pjesë e paketës së masave që parashikojnë shtetrrethim kombëtar nga ora 21:00 e darkës deri në 05:00 të mëngjesit. Të njëjtën masë ka marrë edhe Austria pas nisjes së zbatimit të karantinës kombëtare të martën.

Vende të tjera, si Italia, Franca dhe Gjermania po aplikojnë modelin e mbylljes së klasave dhe shkollave ku ka shtim të rasteve të infektimeve me COVID-19, teksa mësimi për këtë kategori zhvillohet online.

Tv Klan