Disfata e thellë për euroskeptikët – TV KLAN

Disfata e thellë për euroskeptikët

Në Holandë triumfojnë laburistët e Timmermans

Euroskeptikët antiemigrantë e marrin nga Holanda të parën goditje në zgjedhjet për Parlamentin Europian. Exit poll-et tregojnë se dy partitë e këtij spektri kanë siguruar vetëm 4 vende nga 26 që i takojnë Holandës në Parlamentin Europian.

Ikona e euroskeptikëve Gert Vilders, kundërshtari kryesor i zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor humbi 3 vende krahasuar me 2014-n dhe pritet të sigurojë vetëm 1 në legjislaturën e re.

Euroskeptikët e tjerë të Forumit për Demokraci morën vetëm 3 vende, teksa parashikoheshin të dilnin të parët në zgjedhje.

Surprizë është triumfi i laburistëve të Frans Timermansit, i cili kandidon nga radhët e socialdemokratëve europianë si president i Komisionit Europian. Ata do të kenë 5 vende në Parlamentin Europian dhe 4 konservatorët e kryeministrit Mark Rute.

Votime u zhvilluan edhe në Britaninë e Madhe, ku Exit poll-et do të dalin të dielën, kur të përfundojë votimi në të gjithë vendet e unionit. Partia e Brexit-it kryeson sondazhet.

Të premten, radhën për të votuar e kanë irlandezët dhe çekët.

Ndërsa në Itali, fuqizimi i të djathtës radikale vijon të shkaktojë tensione, si këto përleshje në Xhenova, ku anti-fashistët u përpoqën të pengonin sërish tubimin e radikalëve të Casa Pound.

Tv Klan

Kategori
BotaLajmet KryesoreTë gjitha
0 Komente

Përgjigju

*

*





Emisione