Izraeli dhe Egjipti synojnë konsolidimin e armëpushimit

Egjipti dhe Izraeli janë përfshirë prej së dielës në bisedime të nivelit të lartë me qëllim konsolidimin e armëpushimit të brishtë midis Izraelit dhe Hamasit dhe për të rindërtuar Rripin e Gazës pas një lufte 11 ditore që shkatërroi pjesën më të madhe të enklavës.

Kryeministri Benjamin Netanyahu takoi shefin e zbulimit të Egjiptit dhe dërgoi Ministrin e Jashtëm të Izraelit në Kajro.Netanyahu tha se takimi i tij me kreun e Drejtorisë së Përgjithshme egjiptiane të Zbulimit Abbas Kamel në Jerusalem kishte në qendër çështjet e sigurisë rajonale dhe mënyrat për të mos lejuar Hamasin të përvetësonte ndihmat humanitare.

Një zyrtar egjiptian tha se zoti Kamel, do të takohet gjithashtu me zyrtarë palestinezë në Ramallah para se të shkojë në Gaza për bisedime me udhëheqësit e Hamasit.

Ndërkohë Ministri i Jashtëm egjiptian Sameh Shoukry u takua me homologun e tij izraelit, Gabi Ashkenazi në Kajro dhe sipas Ministrisë së Jashtme egjiptiane ata theksuan nevojën e shmangies e përshkallëzimit të konfliktit veçanërisht në territoret palestineze.

Ministri Shoukry i tha homologut të tij Ashkenazi se Izraeli duhet të marrë parasysh ndjeshmërinë e veçantë ndaj Jerusalemit Lindor, Xhamisë Al-Aqsa dhe të gjitha vendet e shenjta islamike dhe të krishtera, thuhet në deklaratën e ministrisë.

Ishte vizita e parë publike nga një Ministër i Jashtëm izraelit në Egjipt që nga viti 2008”, tha në Twitter ambasada izraelite në Kajro. Dy ministrat diskutuan tema përfshirë armëpushimin dhe lirimin e ushtarëve dhe qytetarëve izraelitë që mbahen nga Hamasi.

Lufta 11-ditore shkaktoi vdekjen e mbi 250 vetëve, kryesisht palestinezë dhe shkatërroi rëndë në territorin e varfër bregdetar. Sipas vlerësimeve paraprake dëmi llogaritet në qindra miliona dollarë. Egjipti pati rolin kryesor në ndërmjetësimin e marrëveshjes së armëpushimit mes të dyja palëve.

Klan News