Shoqata e Autoshkollave hedh poshtë çdo pretendim të ngritur nga Ministria e Brendshme dhe ajo e Transporteve, se kutia e ndihmës së shpejtë ka luajtur rol në shpëtimin e jetës gjatë një aksidenti rrugor.
Të njëjtin qëndrim me përfaqësuesit e kësaj shoqate, që ishin thirrur për të diskutuar rreth ndryshimeve të Kodit Rrugor, ndanë edhe deputetët e maxhorancës, të cilët e cilësojnë absurd një masë të tillë që sipas tyre nuk aplikohet në asnjë nga vendet e Bashkimit Europian.
Por kutia e ndihmës së shpejtë shkaktoi dhe një tjetër përplasje, kësaj rradhe mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Transporteve.
Juristët e kësaj të fundit hodhën poshtë propozimin e mbërritur nga dikasteri i Ministrit Beqaj, i cili ka kërkuar që të jetë Ministria e drejtuar prej tij që të përcaktojë se çfarë duhet të përmbajë kutia e ndihmës së shpejtë.
Duket se nuk mjaftoi as thirrja e Kryeminsitrit në parlament për të qetësuar deputetët rrebel të maxhorancës që tashmë janë shprehur kundër masave të ekzagjeruara që në disa raste bien ndesh edhe me praktikat e vendeve të Bashkimit Europian.
Ndryshimet e bëra në Kodin Rrugor shaktuan jo pak debat gjatë diskutimit nëpër komisione javën e shkuar, ndaj dhe për këtë arsye, specialistët e Ministrisë së Transporteve dhe asaj të Brendshme, sëbashku me ekspertë të Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese po punojnë për daljen me një draft final.
Tv Klan