Filipçe: Rritet presioni në spitale, gjendja kritike në Tetovë

Vërtetim për vaksinim, test PCR negativ, dëshmi se e kanë kaluar sëmundjen do t’u kërkohet të gjithë qytetarëve gjatë hyrjes dhe daljes nga Maqedonia e Veriut.

Kjo është masa e re për të cilën ka diskutuar Komisioni Për Sëmundje Infektive, por që do të jetë temë diskutimi në seancën e nesërme të Qeverisë. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se duke pasur parasysh se shumë qytetarë ndodhen jashtë vendit për momentin, përveç çështjes së masës, do të diskutohet edhe për kohën se kur do të implementohet e njëjta.

“Më lejoni të informoj se në shtab është diskutuar edhe për një masë tjetër shtesë, për të cilën nesër në mënyrë shtesë do të diskutohet në seancën e qeverisë, e ajo është që për hyrje dhe dalje nga shteti, të gjithë qytetarëve, pa dallim nëse janë ose jo shtetas të RMV-së, edhe për hyrje edhe për dalje do t’u kërkohet ose vërtetim për vaksinë të pranuar, ose test PCR negativ, ose dëshmi se e kanë kaluar sëmundjen. Nesër do të diskutohet edhe për masën edhe për kohën se kur do të implementohet e njëjta, duke pasur parasysh se shumë qytetarë tash janë jashtë vendit.”

Propozim tjetër që do t’i dorëzohet qeverisë është edhe karantina e detyrueshme 14 ditore, për të gjithë qytetarët që kthehen nga Afganistani.
Filipçe nënvizoi se numri i të diagnostikuarve të rinj rritet edhe më tej dhe bashkë edhe numri i pacientëve të cilëve u nevojitet hospitalizim, gjë që po e rrit presionin ndaj spitaleve, ku për momentin gjendja më kritike është në Tetovë. Por edhe përkundër kësaj, Filipçe tha se komisioni ka vendosur ta përcjell situatën edhe gjatë kësaj jave, dhe për momentin nuk do të kërkojë masa në nivel rajonal pikërisht për këtë qytet.

“Presion më të madh ka në spitalet e Tetovës, Gostivarit, në Strugë poashtu përforcohet, për momentin në Tetovë hospitalizohen 90 pacientë, në Gostivar 70. Gjatë vikendit kishte shumë presion sikur në ato qytete, njëjtë edhe këtu në Shkup, prandaj sot bëmë koordinim se ku duhet të dërgohen pacientët. Në klinikën për sëmundje infektive dhe institutin për tuberkulozë i cili ishte përshtatur për pranim të kovid pacientëve, kapacitetet  tërësisht dhe prej sot për këtë arsye fillon me punë spitali modular dhe reparti infektiv në spitalin 8 shtatori dhe në disa vende tjera.”

Filipçe nënvizoi se nuk ka logjikë që dikush të bëjnë test PCR vetëm që të merr pjesë në ndonjë ngjarje, pasi sipas tij thelbi është të ngrihet imuniteti kolektiv. Ministri tha se gjatë ditës së sotme ka arritur një tjetër rekomandim nga Komiteti i Imunizimit, ku thuhet se do të rekomandohet vaksinimi me dozën e tretë të vaksinës për personat me dializë kronike, pacientët që kanë pasur transplante, dhe për disa kategori të tjera të qytetarëve.

Klan Macedonia